Vdekja e të riut në Lipjan: Çfarë dihet dhe kujt i drejtohet përgjegjësia?

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 07:04 | Kronikë

Vdekja e të riut në Lipjan: Çfarë dihet dhe kujt i

Rasti i vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan gjatë arrestimit nga policia po hetohet, ndërsa përflitet se shkak mund të ketë qenë ngufatja.

Flamur Dylhasi, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku është kryer autopsia e viktimës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes, pasi ai komunikon vetëm me prokurorinë.

Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ka informacione që e lidhin drejtpërdrejt vdekjen e të riut me veprimet e policisë gjatë arrestimit.

“Në bazë të informatave që na kanë ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, del se autopsia ka përcaktuar se viktima është ngufatur nga policia. Do të thotë, policët kanë ndikuar - në njëfarë mënyre - në vdekjen e të riut”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Rasti ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan - komunë në pjesën qendrore të Kosovës.

Policia tha se i ndjeri, i cili u identifikua më vonë si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.

Po atë ditë në mbrëmje, Inspektorati Policor njoftoi për arrestimin e pesë zyrtarëve policorë, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.

Në këtë situatë ende të paqartë, familja thotë se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.

Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.

Arbër Beka, nga Inspektorati Policor i Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se ky institucion po vazhdon hetimet për sjelljet e dyshimta në këtë rast dhe po shqyrton të gjitha provat, përfshirë video-incizimet dhe dëshmitë e marra nga vendi i ngjarjes.

Ankesat ndaj policisë, shqetësim i vazhdueshëm
Ankesat për sjellje të pahijshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk janë të rralla.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës pranoi mbi 1.300 ankesa ndaj zyrtarëve policorë, disa prej të cilave kishin të bënin me tejkalim të autorizimeve dhe përdorim të tepërt të forcës.

Sipas të dhënave të Inspektoratit Policor të Kosovës, pothuajse gjysma e ankesave ndaj policisë gjatë vitit të kaluar, ishin ndaj zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë.

Pas saj u renditën Peja dhe Ferizaj me numër më të vogël, por ende të konsiderueshëm të ankesave. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos