Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj rreshterit Ibrahim Nela dhe efektivëve policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
Të pesë zyrtarët policorë dyshohen për vrasje nga pakujdesia në rastin e Agon Zejnullahut në Lipjan, i cili humbi jetën gjatë arrestimit, shkruan A2. Sipas dosjes së prokurorisë, zyrtarët ishin treguar të pakujdesshëm në momentin e arrestimit, me njërin prej tyre që kishte vendosur gjurin te pjesa e shpinës, në afërsi të qafës së të ndjerit.
Avokati mbrojtës i një prej efektivëve tha se prokuroria kërkoi masën e paraburgimit vetëm për faktin se dyshohet që familjarët e të ndjerit mund të hakmerren ndaj policëve.
Besnik Berisha, avokati i Endrit Beqirit, u shpreh: “Në kushte normale nuk do kërkohej masë paraburgimi sepse edhe prokuroria po kërkon masë paraburgimi me qëllim jo si rezultat i një hetimi, hetimi ka filluar dje, sot po kërkohen pesë zyrtarë të shkojnë në paraburgim për shkak se qenkan relacionet e acaruara dhe paska mundësi dikush me marrë drejtësinë e dikush me kry një vepër të re penale”.
Avokati i familjes së të ndjerit Agon Zejnullahu nuk u lejua të merrte pjesë në seancën dëgjimore. Avokati Asdren Hoxha deklaroi: “Çuditërisht, gjyqtarja e procedurës paraprake më refuzoi me marrë pjesë në seancë dhe më informoi si përfaqësues i palës së dëmtuar. Kërkova sqarime dhe insistova disa herë, mirëpo qasja ishte e tillë që nuk duhet me marrë pjesë”.
Para Stacionit Policor në Lipjan dhe gjykatës në Lipjan u ngjitën disa postera ku u kërkua llogaridhënie dhe drejtësi në lidhje me vdekjen e 27 vjeçarit.
Policia tentoi të arrestonte Agon Zejnullahun pasi ishte duke bërë veprime të pakontrolluara, duke sulmuar kalimtarët e rastit dhe veturat në lëvizje. (A2 Televizion)