Ngjarja e rënë në Lipjan, policia: 27 vjeçari nuk bashkëpunoi

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 07:13 | Kronikë

Ngjarja e rënë në Lipjan, policia: 27 vjeçari nuk

Policia e Kosovës ka lëshuar të martën një komunikatë për media, duke ofruar më shumë hollësi për rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, pasi është ndaluar nga zyrtarët policorë.

Policia ka thënë se personi në fjalë ka qenë jobashkëpunues me zyrtarët e rendit. Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që është thënë se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë. Disa i kanë kritikuar zyrtarët policorë për "përdorim të tepruar" të dhunës.

Rasti ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut, ndërsa në mbrëmje janë arrestuar pesë zyrtarët policorë që janë marrë me rastin, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Policia ka thënë se i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.

Në komunikatë është thënë se Policia ka pranuar informacion nga gjashtë qytetarë “se një person me sjellje agresive, përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata, por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to”.

Policia ka thënë se edhe pas arritjes së ekipit në vendin e ngjarjes, situata nuk ka qenë në kontroll dhe që 27-vjeçari ka pasur sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme, andaj zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin një sprej policor.

“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jobashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë”, është thënë në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, ekipi mjekësor emergjent ka arritur në vendin e ngjarjes brenda tre minutash për t’i dhënë personit ndihmën e parë, dhe më pas njësia emergjente e ka konstatuar vdekjen e tij.

“Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim”.

Duke konfirmuar suspendimin dhe ndalimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast, Policia ka thënë se është e vendosur për zbardhje të rastit dhe që epilogu do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.

Flamur Dylhasi, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku është kryer autopsia e viktimës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes, pasi ai komunikon vetëm me prokurorinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis lidhur me rrethanat e vdekjes së 27-vjeçarit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.

Familja është shprehur e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.

Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, ka thënë se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan.

Ata kanë vënë në dyshim nëse policët e përfshirë kanë pasur trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj.

Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren. REL

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos