Kurti fton opozitën për Presidentin, PDK e LDK: Të presim vendimin e Kushtetueses

Nga Ideal Gola
13 Mars 2026, 19:35 | Kosova

Kryeministri Albin Kurti ftoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku në një takim për javën e ardhshme për të biseduar për çështjen e presidentit të ri.

Mirëpo, të dy liderët opozitarë refuzuan të takohen para se Gjykata Kushtetuese të vendosë në lidhje me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Parlamentin.

Pas një aktiviteti në Qendrën Klinike Universitare të premten, Kurti kërkoi marrëveshje për presidentin për të shmangur zgjedhjet.

Kryeministri Albin Kurti tha: “Nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura, prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”.

Kurti deklaroi se vendi ka nevojë për një vendim të shpejtë të Kushtetueses dhe që Kuvendi të rifillojë punën. Ai ka shprehur gatishmëri për të gjetur një zgjidhje. 

Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”, u shpreh kryeministri.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që të respektohet Gjykata Kushtetuese që ka pezulluar procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të Parlamentit deri më 31 mars.

Partia Demokratike e Kosovës tha: “Mbetemi të hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, […] vlerësojmë se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i gjykatës”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës shprehu gatishmërinë për takim vetëm pas Kushtetuesja të thotë fjalën e saj.

Verdikti i gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, u shpreh Abdixhiku.

Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Për këtë arsye kryeparlamentarja Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. 

Një ditë më pas, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Parlamentin, dekreti i së cilës u kontestua gjithashtu në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos