
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar një takim me krerët e partive opozitare në lidhje me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.
“Padyshim që do të bëj ftesa për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 84-86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Për këtë do të bëjmë edhe ftesa e do të ketë edhe takime, por çfarë ofertash do të ketë në ato takime duhet të presim që të ndodhin ato takime”, është shprehur Kurti në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.
Më 25 Gjykata Kushtetuese doli me një vendim që i jep Kuvendit 34 ditë për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. (A2 Televizion)