Opozita e Kosovës, kritika qeverisë në Kuvend për kërkesat e minatorëve

Nga Xhevahir Qardaku
2 Nëntor 2023, 16:03 | Kosova

Një debat i ashpër ka ndodhur mes opozitës dhe partisë në pushtet në kuvendin e Kosovës, për votimin e dy mocioneve. Përplasja kryesore ka qenë për miratimin e kërkesave të minatorëve të Trepçës dhe për ato të njësive speciale elitare të Policisë.

“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë është bërë. Shto këtu faktin që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare “Trepça” që nuk ka Këshill grevist, që nuk është në përputhje me ligjin me greva” tha deputetja e VV Mimoza Kusari Lila.

“Ne edhe si komision parlamentar kemi pasur një takim me minatorët ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, andaj sot duke pasur parasysh që edhe rregullorja lejon që të trajtohen çështje urgjente, të plotësohet dhe ndryshohet rendi i ditës, ne rezolutën veçse e kemi proceduar dhe kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një rezolute, me të cilën Parlamenti i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, u shpreh Abelard Tahiri, deputet i PDK.

“Mendojmë që është me rëndësi që kuvendi ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë e cila i kërkon qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen, sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Kërkesat e tyre janë kërkesa minimaliste, çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat do i marrin në fund të muajit”, deklaroi Arben Gashi, deputet i LDK

“Është tepër urgjente që të mbahet një seancë dhe të diskutohet çështja e minatorëve. Kjo do të duhej të ndodhte sipas nenit 53 dhe 94 të rregullores së punës të këtij institucioni. Po ashtu është tepër me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës. Ne kemi pasur një paralajmërim të një proteste dje të FIT-it, sot ka edhe një protestë tjetër” u shpreh Besnik Tahiri, deputet i AAK.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos