Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se anëtarësimi i vendit në NATO është prioritet i partisë së tij. Gjatë një konference me partnerët e koalicionit, kreu i AAK, Ramush Haradinaj premtoi se do ta bënin realitet këtë ambicie, ndërsa siguroi se ishin të gatshëm të udhëhiqnin vendin drejt një të ardhme më të mirë.
Haradinaj prezantoi planet për fushatën dhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
“Do të bëjmë realitet anëtarësimin e Kosovës në NATO...Me 11 janar në ora 11:00 e bëjmë veprimin e parë solemn, nderimin në memorialin në Prekaz për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, me ç'rast dëshmojmë respektin e përjetshëm të sakrificës për liri të të gjithëve. Ndërsa me 12 janar në ora 13:30 në sallën 1 tetori e fillojmë fushatën zgjedhore me një tubim të madh ku paraqesim kandidatët dhe vizionin tonë programor", tha Haradinaj.
Në anën tjetër kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u shpreh se më shumë se kurrë vendit ka nevojë t’i kthehet siguria, dhe siç tha ai, kjo mund të bëhet nëse kjo parti vjen në pushtet.
"Kosova ka qenë e mashtruar katër vite që lamë pas, nuk besoj se Kosova do të pranoj të futet në një mashtrim të ri i cili do të humbte kohën e mundësinë familjeve tona. Më shumë se kurrë ka nevojë të kthejmë Kosovën në punë, të kthejmë sigurinë në Kosovë, te vazhdojnë të ndërtojmë e kultivojmë partneritetet ne miqtë tanë".
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të nisë më 11 janar. (A2 Televizion)