Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, Gjermania me numrin më të lartë të votuesve të diasporës

Nga Rosalba Bejdo
7 Janar 2025, 20:14 | Politikë

Për herë të parë, në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë do të votojnë edhe qytetarët e regjistruar jashtë vendit.

Periudha e votimit për diasporën do të zgjasë 31 ditë, nga 9 janari deri më 8 shkurt, shkruan A2.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregon se Gjermania është vendi me numrin më të madh të votuesve të regjistruar jashtë vendit: “Dy shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania me 44 774 votues dhe Zvicra me 27 248 votues të regjistruar. Pas tyre vijnë edhe disa shtete të tjera siç janë Franca, Suedia, Austria, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda. Të gjitha këto shtete përbëjnë 10 shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë Kosovës për procesin zgjedhor në vendin tonë”.

Gjithsej 104 924 shtetas të Kosovës jashtë vendit që do kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet parlamentare. Shumë prej tyre do votojnë në përfaqësitë diplomatike kosovare, ndërkaq, të tjerët do dërgojnë fletëvotimet në pikat e kutisë postare të KQZ-së.

“Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës i cili është 104 924, prej të cilëve 20 399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt, ndërkaq 17 104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pako me fletëvotim në adresë të kutisë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe numri më i madh prej 67 421 votuesish janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen jashtë Kosovës”, thotë Elezi.

Sipas KQZ-së, të gjithë shtetasit që janë regjistruar për votim jashtë Kosovës do ta gjejnë emrin e tyre vetëm në Listën e Votuese jashtë Kosovës, ndërkaq, emrat e tyre largohen nga Lista Votuese e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Një milion e 970 mijë e 944 votues kosovarë do kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 9 shkurtit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos