Spastrim etnik i shqiptarëve në Serbi: Kosova dhe Shqipëria të krijojnë një plan-program të posaçëm

Nga Rosalba Bejdo
7 Janar 2025, 20:17 | Politikë

Shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit janë të diskriminuar, teksa Serbia po vazhdon me spastrim etnik përmes pasivizimit të adresave.

Këtë e thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, në një intervistë për “KosovaPress”. Komuna më e prekur, sipas Rexhepit, është Medvegja: “Politikat e Beogradit janë të njëjta si të kohës së Millosheviçit, duke diskriminuar apo edhe duke pasivizuar, siç kemi spastrimin etnik që është duke ndodhur spastrimi etnik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me anë të pasivizimit të adresave duke ua hequr të drejtën shqiptarëve që të jenë banor të këtyre trojeve. Pasivizimin e adresave e kanë bërë në mënyrë shumë të lehtë, duke e keqpërdorur ligjin e vet, duke përdorur arsyet e veta shteti. Një polic i thjesht mund të pasivizojë këdo”.

Ai përmend një rast ekstrem të pasivizimit të adresave në Preshevë: “Një familje 7-anëtarëshe në Preshevë është pasivizuar. Dhe tani ajo ka filluar me pjesën e ankesave që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre elementare”.

Për tërë këto shkelje, Rexhepi thotë se është njoftuar faktori ndërkombëtar, por, sipas tij, qasja e tyre ndaj Serbisë është e butë. Zyrtari i bën thirrje Kosovës dhe Shqipërisë të shohin me prioritet çështjen e Luginës së Preshevës dhe të krijojnë një plan-program të posaçëm për shqiptarët atje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos