Viti i ri në veri të Kosovës nisi ashtu sikurse edhe u mbyll i vjetri, me operacione për largimin e strukturave paralele serbe.
Gjatë së mërkurës policia mbylli Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut si dhe kompaninë serbe të sigurimeve “Dunav”. Të dyja këto për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, shkruan A2.
Në vlerësimin e ekspertëve të sigurisë, operacionet për mbylljen e strukturave paralele janë të ligjshme. Vetë ekzistenca e këtyre institucioneve shihet si përpjekje për të sfiduar rendin kushtetues të Kosovës.
Arben Dashevci, ekspert i sigurisë, shprehet: “Çdo gjë që është ilegale dhe paralele është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, andaj Republika e Kosovës bazohet në ligj dhe vepron me ligj dhe këto i shoh si shumë të drejta dhe ato copëza që kanë mbetur dikur nga institucionet paralele po mbyllen, ashtu si mbyllen në çdo vend të pavarur dhe sovran”.
Lista Serbe reagoi përmes një komunikate për media, duke thënë se kjo “është vazhdimësi e terrorit të Albin Kurtit” që po kërkon të rrisë vota në kohë zgjedhjesh, përcjell A2.
Përfaqësuesit e kësaj partie politike takuan disa prej punëtorëve duke iu garantuar se do të vijojnë të paguhen: “Kemi garancitë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të gjithë punonjësit do të vazhdojnë t'i marrin normalisht pagat nga buxheti i Serbisë. Kurti ka mbyllur sot lokalet, por jo edhe Shërbimin Tatimor të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë”.
Sipas Listës Serbe, janë rreth 80 të punësuar në institucionin paralel të tatimit në veri. (A2 Televizion)