“Sllavët nuk munden, por shqiptarët po?” Lavrov: Pavarësia e Kosovës shkel kartën e OKB, racizëm ndaj nesh

Nga Rosalba Bejdo
15 Prill 2025, 20:39 | Politikë

Rusia nuk heq dorë nga propaganda kundër Kosovës, të cilën vijon ta përmendë si shembull për të justifikuar pushtimin në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se sllavët po trajtohen me racizëm të hapur në Perëndim e kjo, sipas tij, duket në qëndrimin ndaj ndarjes së Kosovës nga Serbia dhe kthimit të gadishullit të Krimesë në atdheun e saj, shkruan A2.  

Në një intervistë për gazetën ruse “Kommersant”, Lavrov përsëriti kritikat ndaj Perëndimit që sic pretendon se po shkel paprekshmërinë e kufijve të garantuar nga Karta e OKB. Sipas shefit të diplomacisë ruse, në kohën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk kishte asnjë operacion ushtarak apo ndonjë rrezik për popullatën dhe Rezoluta 1244 garantonte kthimin e policisë dhe rojeve kufitare serbe në atë që e quan krahinë.  

“Ata nuk u interesuan për këtë. Ata thjesht vendosën një kurs për shkëputje. Përfaqësuesi i OKB-së, Martti Ahtisaari, u ngrit në këmbë dhe tha se Kosova është e pavarur - pa referendum, asgjë. Amerikanët i thanë "duhet bërë" dhe ai e bëri", pohoi Lavrov.

Ai kaloi më pas tek rasti i Rusisë, që siç thotë e mori Krimenë pas një referendumi e kjo nuk u pranua nga Perëndimi. 

“Domethënë, ne sllavët nuk mundemi, por shqiptarët po?”, ngre më tej pyetjen Lavrov në intervistën e tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos