Partitë politike në Kosovë akuzojnë njëra tjetrën për dështimin e seancës konstituive të Kuvendit, çka rrezikon të çojë vendin drejt një krize institucionale.
Deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK refuzuan të miratonin raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, duke bllokuar vijimësinë e seancës, që do të duhej të përmbyllej me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve. PDK dhe LDK, thanë se nuk e pranojnë dorëheqjen e dorëzuar rishtazi të Kurtit dhe anëtarët e tjerë të qeverisë të zgjedhur deputetë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brenda institucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, porse janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot.”
Tashmë i takon presidentes te vendose se si do te vazhdohet me tutje. Seanca prodhoi dhe momente pikante, duke dhënë sinjale të shumta sa i përket koalicioneve paszgjedhore apo formimit të qeverisë së re. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Këta të fundit hynë në koalicion parazgjedhor dhe morën 8deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por raportohet për një marrëveshje të mundshme mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj për votimin e qeverisë së re. Është raportuar gjithashtu edhe për një pakt mes Kurtit dhe Duda Balje që përfaqëson pakica boshnjake, por deputetja u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi. (A2 Televizion)