Dështon konstituimi i Kuvendit të ri, prapaskenat: Kurti dorëhiqet, Limaj e Haradinaj nuk flasin

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 17:54 | Politikë

Dështon konstituimi i Kuvendit të ri, prapaskenat: Kurti

Dështon seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës. Deputetet e partive opozitare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kundërshtuar miratimin e raportit të komisionit verifikues të mandateve, duke sjellë ngërç politik.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, sqaroi se këtë vendim e morën pasi qeveria nuk ka dhënë dorëheqjen. Tashmë i takon Presidentes të vendosë se si do të vazhdohet me tutje. Megjithatë, Albin Kurti dorëzoi dorëheqjen si kryeministër, në mënyrë që të betohej si deputet, po ashtu kanë bërë edhe ministrat e tij.

Në të gjithë sallën, ai ishte i vetmi që kishte marrë me vete dhe një flamur kombëtar shqiptar. Seanca prodhoi dhe momente mjaft pikante, duke dhënë sinjale të shumta sa i përket koalicioneve paszgjedhore apo formimit të qeverisë së re.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës. Këta të fundit hynë në koalicion parazgjedhor dhe morën 8 deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Por raportohet për një marrëveshje të mundshme mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj për votimin e qeverisë së re.

Është raportuar gjithashtu edhe për një pakt mes Kurtit dhe Duda Balje që përfaqëson pakica boshnjake, por deputetja u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërkohë, momente pikante ka patur edhe gjatë pauzës për verifikimin e mandateve dhe procedurës së seancës. Kurti shihet duke u konsultuar me disa pjesëtarë të partisë së tij dhe me deputetë të pakicave jo serbe. Në të njëjtën kohë, edhe liderët e PDK-së dhe të LDK-së konsultohen me anëtarët e tyre partiakë, por që i kanë kthyer shpinën kreut të Vetëvendosjes. Mes tyre nuk ka patur ndonjë përshëndetje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos