Banesa nën ujë, ura të dëmtuara. Reshjet përmbysin jugun dhe juglindjen e vendit

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
21 Nëntor 2025, 14:54 | Aktualitet

Orët e natës dhe mëngjesit të së premtes kanë përkeqësuar situatën e përmbytjeve kryesisht në jug dhe juglindje të vendit.

Në Qarkun e Korçës, ujërat e përrenjve dhe lumenjve kanë vërshuar në banesa, stalla bagëtish dhe toka bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, bazë ushqimore për bagëtitë dhe dëme në kulturat bujqësore.

Përmbytjes nuk i ka shpëtuar as Arkiva dhe bodrumet e Prokurorisë së Korçës, shkruan A2.

Ujërat kanë vërshuar edhe në unazën e qytetit të Pogradecit, duke dëmtuar lidhjet e banesave me rrugën. Në zonat rurale të Qarkut të Korçës ka patur problematikë edhe me rrëshqitjet e dherave në rrugë si dhe dëmtimet e disa urave që kanë izoluar fshatrat.

Përmbytjet nuk kanë kursyer as periferinë e Gjirokastrës. Rezervuari i Viroit ka në dalë në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë, ndërsa është dëmtuar edhe ura e Glinës, duke izoluar 5 fshatra.

Sakaq, vijon të mbetet problematike edhe situata me prurjet e lumit Vjosë dhe fshatrat përgjatë shtratit të tij, veçanërisht pranë grykderdhjes. Janë përmbytur oborre banesash dhe toka bujqësore, ndërsa janë evakuuar disa banorë pranë Novoselës së bashku me gjënë e gjallë.

Situata po monitorohet nga afër nga ekipet e Emergjencave Civile, ndërsa prurjet vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke rrezikuar zgjerimin e hartës së përmbytjeve në atë zonë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos