“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë”. Kështu është shprehur në rrjetet sociale kryeministri Albin Kurti, në të njëjtën kohë që në Tiranë po zhvillohej protesta mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të.
“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të.
Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë.
Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë”, shkruan Kurti. (A2 Televizion)