Përfundon numërimi dhe verifikimi i votave të rregullta për zgjedhjet e 12 tetorit

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 11:29 | Politikë

Përfundon numërimi dhe verifikimi i votave të rregullta për

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kanë përfunduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, për ditën e tretë me radhë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave me postë.

Komunat e fundit në të cilat përfundoi procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve në orët e vona të së shtunës ishin Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

KQZ njoftoi më 19 tetor se sa u përket votimit brenda vendit janë verifikuar rezultatet për 2.571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvende komunale nga 2.571 vendvotime.

“Nga po kaq vendvotime, 2.571, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për kuvendet komunale. Pra, në këtë proces, në QKN, janë procesuar 5.142 kuti votime që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve”, u tha në njoftim.

Aktualisht po vazhdon numërimi dhe verifikimi i votave nga jashtë dhe sipas të dhënave deri në orën 10:00 të së dielës janë numëruar 54 kuti me fletëvotime për kryetarët e komunave dhe 45 të tjera për kuvendet komunale.

Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës votuan përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Sipas KQZ-së, ishin 33.841 pako me fletëvotime të supozuara dhe pas verifikimit, 29.636 u aprovuan. Numërimi i këtyre votave ka nisur më 17 tetor.

Pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, do të numërohen edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta dhe më pas KQZ-ja do të shpallë rezultatin për rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Rundi i dytë pritet të mbahet më 9 nëntor. Sipas rezultateve preliminare, 21 komuna kanë zgjedhur në rundin e parë kryetarët e komunave, ndërkaq në 17 të tjera pritet të organizohet rundi i balotazhit.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos