“BE të heqë masat, plotësuam kushtet”, Kurti kërkon statusin e vendit kandidat: Gati për kapitujt e parë

Nga Xhevahir Qardaku
2 Maj 2024, 11:36 | Politikë

Kosova ka përmbushur 70 për qind të reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian për integrimin. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrimin Europian, ku kërkoi nga Brukseli që të njohë këtë rezultat dhe ta shpërblejë vendin e tij.

“Besojmë që anëtarësimi në Bashkimin Europian duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj agjenda e reformave europiane në qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryeministri kërkoi dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja janë përmbushur tashmë.

“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Europian, sidomos edhe në planin e rritjes e me qëllimin e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave në BE, në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se Programi Kombëtar i Integrimeve Europiane është dokument strategjik dhe se për këtë vit, është planifikuar zbatimi i 307 masave afatshkurtra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos