“Jemi gati!”, Kurti kërkon hapjen e negociatave me BE-në dhe heqjen e sanksioneve

Nga A2 CNN
2 Maj 2024, 10:08 | Politikë

“Jemi gati!”, Kurti kërkon hapjen e negociatave me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Këshillin për Integrimin Europian, ku foli për procesin e zgjerimit dhe detyrimet që ka plotësuar qeveria në këtë drejtim.

Kreu i ekzekutivit përmendi edhe njëherë rëndësinë e procesit të zgjerimit, lidhur kjo edhe me situatën gjeopolitike në Europë, teksa kërkoi sërish heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka rikthyer rëndësinë e zgjerimit të BE-së. Në dhjetor 2023, samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në BE. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t'u përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Europian. Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin e kandidatit, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt drejt anëtarësimit”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Kurti shtoi se, javën e kaluar, BE-ja ka aprovuar Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka  qëllime të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të rajonit me BE-në, dhe në këtë mënyrë të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE.

“Planin e zgjerimit e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. Nuk duhet të ketë përfitime nga BE-ja e as fonde pa i përqafuar vlerat e BE-së. Masat që janë ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos me Planin e rritjes dhe qëllimit të tij. Këto masa duhet të largohen”, tha Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos