Kurti propozon Qeverinë e re, u kërkon deputetëve ta votojnë

Nga A2 CNN
26 Tetor 2025, 12:00 | Politikë

Kurti propozon Qeverinë e re, u kërkon deputetëve ta votojnë

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti deklaroi se nuk kanë arritur koalicion për formimin e qeverisë, raporton A2 CNN.

Nga foltorja e Kuvendit, ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë, Kurti prezantoi qeverinë e re dhe u kërkoi deputetëve që ta votojnë, duke parë interesin shtetëror dhe jo atë partiak.

Para deputetëve, Kurti tha votimi për qeverinë e re, sot është një akt për shërbimin ndaj vendit dhe jo thjesht si një formalitet politik.

Zëvendësministër i parë dhe Ministër i Jashtëm, – Glauk Konjufca

Zëvendësministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka

Ministër i Financave – Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulzon Jaxhiu

Ministër i Shëndetësisë Arben Vitia

Ministër i Arsimit – Avni Zogiani

Ministër i Kulturës – Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit – Blerim Gashani

Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal – Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha

Ministër i Tregtisë – Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenda Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Vejsha

Kurti tha se po të pranohej oferta për bashkëqeverisje, sot do t’i propozohej Kuvendit një qeveri e re e koalicionit. Sipas tij, vota e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte përcaktuar se duhet të ketë një koalicion qeverisës, mirëpo partitë parlamentare nuk kishin gatishmëri për një gjë të tillë.

Ai renditi edhe pasojat që do t’i ketë vendi në rast që nuk votohet qeveria e re, pa buxhet të miratuar për vitin 2026.

“Në këto gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar se duhet të kishte një koalicion qeverisës. Po të pranohej oferta për bashkëpunim, sot do të kishim mundësi t’i jepnim vendit qeverinë e re të koalicionit, por do t’i kishim edhe numrat e nevojshëm për sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajsh. Sidoqoftë, si pasojë e mosgatishmërisë nga partitë parlamentare për të marrë përgjegjësinë që ‘iu ka deleguar qytetari me votë’, sot ndodhemi para një situate ku qeveria e re propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si akt i një shërbimi ndaj vendit. Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e qeverisë së re, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale dhe funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë...Ftoj deputetët që të votojnë jo thjesht sipas interesit partiak, por për interes publik dhe shtetëror, që t’i japim vendit qeverinë e re të prodhuar nga rezultati zgjedhor i 9 shkurtit dhe t’u mundësojmë institucioneve vijimësi për ta votuar qeverinë e ardhshme,” tha ai.

Kurti përmendi pesë vendimet e para që, sipas tij, do t’i ndërmerrte në javën e parë posa të zgjidhet kryeministër.

“Pesë vendimet e para që do t’i marrim si qeveri në javën e parë do të jenë: miratimi i buxhetit për vitin 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë 150 euro, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind mbi nivelin aktual që prek 400 mijë fëmijë, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të sektorit privat dhe miratimi i ndryshimit e plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së. Janë edhe një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare që janë në pritje, përfshirë edhe Planin e Rritjes së BE-së. Është në dorën tuaj, të nderuar deputetë, që të na mundësoni të vazhdojmë punët e mira të vendit. Normalisht edhe mund të kemi mospajtime, por kjo është vlera e demokracisë. Demokracia ka zëra të ndryshëm dhe debate të forta. Kjo nuk është dobësi, por fuqi,” theksoi Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos