Brukseli ia pret shkurt Kosovës: Për heqjen e masave ndëshkuese vendos BE dhe jo Prishtina

Nga Rosalba Bejdo
2 Maj 2024, 20:25 | Politikë

Për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës. Kështu ju përgjigj zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano, thirrjeve të autoriteteve në Kosovë për heqjen e masave. Më herët kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendosin shtetet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të shqyrtojnë se a do të hiqen masat, kur do të hiqen, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht? ”

Sipas Stanos, vendimi për heqjen e mundshme të masave ndaj Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë në gjithë BE-në.

“Ka masa që janë vendosur ndaj Kosovës për arsye specifike. Kur shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë dhe arsyet nuk ekzistojnë më, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit. Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: pezullimin e përkohshëm të grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale. Gjithashtu, u pezulluar edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin parashikuar të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos