Situata me sigurinë dhe rendin në vend, si dhe deklarata e kreut të SPAK për zyrtarë të lartë të policisë që bashkëpunojnë me krimin e organizuar, ishin dy arsyet për të cilat deputeti demokrat, Ervin Salianji, zhvilloi një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.
Të dy sollën para deputetëve realitete të ndryshme sa i përket sigurisë dhe kriminalitetit. Ndërsa për pastrimin e policisë, ministri Balla pohoi se është një proces i nisur se brendshmi dhe që po vijon.
“Vjedhjet, grabitjet dhe mungesa e sigurisë publike është kthyer në tmerr për qytetarët. Prej vitesh, situata e kriminalitetit në Shqipëri janë kthyer në shqetësim për shoqërinë shqiptare. Kriminelë të shpallur në kërkim gjejnë njëri-tjetrin, madje kapin edhe policë e drejtues të saj, ndërsa policia duhet t’i çojë para drejtësinë për krime nga më të rëndat, kthehet në gjuetare të kriminelëve për llogari të bandave rivale në qytete të ndryshme. Nga ana tjetër, opinioni publik u trondit nga deklarata e kreut të SPAK se për krimin e organizuar nuk bashkëpunojnë dot me policinë e Shtetit për shkak të përfshirjes së saj në nivele të larta në bashkëpunim me krimin. Fakte që ne si opozitë kemi vite që i denoncojmë”, tha Salianji.
“Lajmi më i përhapur sot pavarësisht këndvështrimit tuaj, është certifikimi ndërkombëtar si një vend i sigurt turistik. Shqipërisë i është pastruar njëherë e përgjithmonë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.
Do të ketë një rritje të lartë të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit në 1 korrik. Goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Sapo janë arrestuar në Itali dhe në Spanjë dy personazhe të tjera të botës së krimit, të cilët do të ekstradohen. Viti 2023 shënoi nivelin më të ulët të vrasjeve në vend. Drejtuesi i SPAK ngre një shqetësim sepse nga janari 2020, deri në mars 2024, SPAK ka hetuar 69 punonjës policie. Ne kemi arrestuar 65. Bashkëpunimi me SPAK është jetik për të çuar përpara procesin e pastrimit të policisë”, u shpreh Taulant Balla. (A2 Televizion)