Cila është oferta e Kurtit? Me LDK në diskutim edhe pozicioni i kryeparlamentarit

Nga Ideal Gola
8 Prill 2025, 20:00 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje e ka kuptuar se pa një koalicion me një nga partitë e mëdha opozitare nuk do të mund të formojë Qeverinë e re.

Partia e Albin Kurtit është e gatshme të negociojë për të gjitha pozitat e mundshme me partitë përveç emrit të kryeministrit.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, që shërbeu si kryeparlamentar në legjislaturën e kaluar, tha se pikërisht diskutimet me partitë kanë bërë që Vetëvendosje të mos ketë ende një kandidat për kreun e Kuvendit.

“Kur jemi te qeveria, është e pamundur pa u themeluar një koalicion i cili e krijon mazhorancën e aftë për të zgjedhur me 61 vota një qeveri të re. Prandaj të gjitha pozicionet do ta kisha futur edhe atë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i nënshtrohen këtij prinicipi”, tha Konjufca.

Lidhja Demokratike e Kosovës duket se nuk pritet të ndryshojë qëndrimin e saj, pavarësisht ofertës që mund t’i ofrohet nga Vetëvendosje, shkruan A2 CNN.

“Kur ne kemi potencuar që nuk hyjmë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kemi vendosur kushtëzime me këtë qëndrim sepse vetë ky qëndrim vetvete është parim i yni dhe është parim që kemi shfaqur publikisht tek qytetari i Republikës së Kosovës”, u shpreh Doarsa Kica Xhelili, nënkryetare e LDK.

Gjatë fushatës zgjedhore Kurti ka pasur një gjuhë të ashpër ndaj LDK-së, por nga Vetëvendosje thonë se kjo ka qenë reciproke dhe se nuk duhet të ketë hatërmbetje.

Duke përmendur sfidat dhe interesin e Kosovës, Konjufca tha se ftesa për takime nuk duhet të perceptohet si dorëzim i partisë së tij.

“Nuk është mëkat kjo në demokraci. Ti vendos një qëllim, e kemi pasur qëllimin 500 mijë vota, nuk i kemi arritur ato tash është skenar tjetër, është skenar B”, tha Konjufca.

“Natyrshëm këto ditë po vërejmë shumë lëvizje të qëndrimeve nga aktorë të ndryshëm të lidershipit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga fjalët e thëna para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve por kjo nuk qëndron edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh Xhelili.

Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë në grupin e saj, ndërsa Lidhja Demokratike 20 të tjerë. Numri minimal për të votuar Qeverinë dhe për të kaluar projekligjet është 61. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos