Ka nisur takimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me përfaqësues të partive politike që kanë siguruar mandate për legjislaturën e nëntë.
Ky takim do të shërbejë për përgatitje për seancën e parë konstituive që është ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të martën e 15 prillit, shkruan A2.
Në të njëjtën seancë pritet të betohen deputetët dhe të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit dhe nënkryetarët në mënyrë që seanca të konsiderohet e konstituuar. Pozita e kreut të Kuvendit i takon ekskluzivisht grupit më të madh parlamentar qe në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje. Opozita ka dhënë sinjale se do të mbështesin çdo propozim të Vetëvendosjes për kryeparlamentar pasi vetëm në këtë mënyrë fillon edhe rrjedhja e afateve ligjore për votimin e Qeverisë së Kosovës.
Në takim me Konjufcën, Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, PDK nga nënkryetari Uran Ismaili, LDK nga nënkryetarja Doarsa Kica Xhelili, AAK nga sekretari i përgjithsëm i partisë Muharrem Nitaj.
Në ketë takim janë edhe përfaqësuesit e partive minoritare që kanë fituar mandate. (A2 Televizion)