Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të takohet me përfaqësuesit e partive politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Takimi që do të nis në orën 14:00 në selinë e Kuvendit është thirrur për konsultime mes Presidencës dhe partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Partitë politike në vend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim me të parën e shtetit, me Albin Kurtin që ka deleguar në këtë takim nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën.
Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Sekretarja e Përgjithshme e PDK, Vlora Çitaku, në një konferencë për mediat të mbajtur të shtunën më 27 korrik theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë.”
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar pjesëmarrjen po ashtu. Kryetari Lumnir Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do të paraqesë personalisht qëndrimet e LDK-së.
Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por nuk kanë sqaruar nëse do të jetë vetë Ramush Haradinaj i pranishëm në takim.
“AAK-ja do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemajli.
Sakaq, presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike. (A2 Televizion)