Pohimi i presidentes Vjosa Osmani bërë më herët gjatë javës në Uashington, përgjatë së cilës konfirmoi deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit” kanë nxitur debat.
Beogradi zyrtar që nxitoi të mohonte këto pretendime, kaloi më pas në një narrativë tjetër që ishte ajo e “keqkuptimit të deklaratave të Trump”.
Mirëpo debate për vërtetësinë e deklaratave nisi edhe në Prishtinë, me ekspertët e sigurisë që kërkojnë më shumë unitet në çështjet e interesit shtetëror, shkruan A2 CNN.
“Vet hapja e debatit në Kosovë për një çështje të tillë nënkupton që ne kemi rënë pre e luftës hibride të Serbisë sepse po hapim debate për çështje të cilat Serbia ka interes t’i atakojë dhe në këtë formë e mbulon të vërtetën”, shprehet Gurakuç Kuçi, instituti Octopus.
Në një situatë të rëndë politike edhe çështjet e sigurisë, ashtu sikurse ngjau edhe me këtë rast, shpesh bëhen pjesë e debatit.
“Është duke u atakuar e vërteta nëpërmjet kundërshtimeve politike që janë për çështje ditore. Këtu problemet ditore mes politikanëve në Kosovë janë duke ndikuar edhe te çështjet strategjike që kanë të bëjnë në interes të Kosovës. Kosova duhet të ndal një mendësi dhe veprim të tillë”, tha Kuçi.
Ekspertët thonë se Trump ka informacione të dorës së parë ndërsa edhe Serbia nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se kërkon të rikthejë Kosovën.
“Sa i përket deklaratës së Grenellit dhe deklaratave të politikanëve e të shtypit serb dhe atyre në Kosovë, nuk u besoj atyre, pasi jam i prirë t’u besoj deklaratave zyrtare të SHBA-së dhe presidentes Osmani e cila vetëm i rikonfirmoi ato që ka thënë presidenti Trump”, u shpreh Avni Islami, ekspert i Sigurisë.
Presidenca gjatë së hënës nuk ka pranuar të komentojë sulmet që i janë bërë titullares së këtij institucioni. (A2 Televizion)
Deklaratat e Osmanit, uniteti kombëtar sfidohet për hir të politikave ditore
