Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë me Zyrtarin e Lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming.
Në këtë takim, Haradinaj ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë në thellimin e partneritetit në fushën e sigurisë, transmeton KosovaPress.
Ai ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke vlerësuar mbështetjen amerikane si jetike për këtë proces.
“Aleanca jonë me Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme. Përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, është shprehur Haradinaj pas takimit. (A2 Televizion)