Subjektet politike ende nuk kanë bërë asnjë zgjidhje për daljen nga kriza politike dhe e gjithë kjo rezultoi edhe me dështimin për të 46-ën herë të konstituimit të Kuvendit.
Seanca nisi sikur ato të më hershmet ku kryesuesi i seancës, Dehari kërkoi anëtarët e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Këtë hapësirë e shfrytëzuan partitë tjera, të cilat i bën thirrje Deharit të mos e shkelë Kushtetutën.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se seanca duhet të zhvillohet sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sigurisht do të bëjë një propozim por më lejoni të bëj një sqarim. E kam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se seanca duhet të udhëhiqet sipas praktikës së deritanishme”, tha Gruda, i cili pastaj ia dha aktgjykimin e Kushtetueses, kryesuesit Dehari.
Fjala iu ndërpre edhe deputetit të LDK-së, Armend Zemaj. “Kam një propozim që ti të kërkosh emrin për kryetar të kuvendit dhe të kthehesh në praktikat parlamentare të zgjedhjes së kryetarit“, tha ai.
Komisioni nuk mori votat e mjaftueshme dhe në mungesë të kuorumit, seanca vazhdon më 15 korrik, në orën 11:00. “43 deputetë kanë votuar kundër, asnjë kundër, asnjë abstenim. Seanca nuk ka kuorum, shihemi më 15 korrik, në orën 11:00”, u shpreh Dehari.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituuar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga i hapur të kalojë në të fshehtë.
Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.
Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret. (A2 Televizion)