Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, sapo anëtarët e Qeverisë – që janë zgjedhur deputetë - të japin dorëheqje.
Ai u pyet për letrën e dorëheqjes të dorëzuar në këtë komision nga Qeveria në detyrë. Por, Abdixhiku nuk e pranoi këtë dorëheqje duke thënë se Kurti dhe anëtarët e tjerë thonë se kanë dhënë dorëheqje, por sipas tij, po vazhdojnë punën në Qeveri.
Sipas tij, e gjithë kjo është “pjesë e një loje politike për të zvarritur krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë”.
“Është episod i errët në demokracinë parlamentare ku partia fituese nuk respekton rregullin bazik që thotë që një i zgjedhur s’mund të jetë edhe ministër, kryeministër, e deputeti i Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas kreut të LDK-së, ky qëndrim i LVV-së është “qëndrim bllokues”, pasi sipas tij, partia e Kurtit nuk i ka votat për kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re./ REL (A2 Televizion)