Seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës nisi me një orë vonesë. Të parët që hynë në sallë ishin deputetët e partive të opozitës, të cilët u ulën në krahët anësorë, ndërsa në mes ishte vendi i caktuar për forcën e parë politike, Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan A2 CNN. Albin Kurti dorëzoi dorëheqjen si kryeministër, në mënyrë që të betohej si deputet. Në të gjithë sallën, ai ishte i vetmi që kishte marrë me vete edhe një flamur kombëtar shqiptar.
Seanca prodhoi momente mjaft pikante, duke dhënë sinjale të shumta sa i përket koalicioneve paszgjedhore apo formimit të qeverisë së re. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës. Haradinaj arriti përpara Limajt në Kuvend dhe qëndronte në telefon, derisa ky i fundit, pas nënshkrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës, kaloi pranë Haradinajt, por nuk u përshëndetën.
Këta të fundit kishin hyrë në koalicion parazgjedhor dhe morën 8 deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por raportohet për një marrëveshje të mundshme mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, për votimin e qeverisë së re. Është raportuar gjithashtu edhe për një pakt mes Kurtit dhe Duda Baljes, që përfaqëson pakicat boshnjake, por deputetja u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Opozita ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në momentin e votimit për kryeparlamentarin e ri. Ndërkohë, momente pikante ka pasur edhe gjatë pauzës për verifikimin e mandateve dhe procedurës së seancës. Kurti shihet duke u konsultuar me disa pjesëtarë të partisë së tij dhe me deputetë të pakicave jo-serbe. Në të njëjtën kohë, edhe liderët e PDK-së dhe të LDK-së konsultohen me anëtarët e tyre partiakë, por i kanë kthyer shpinën kreut të Vetëvendosjes. Mes tyre nuk ka pasur ndonjë përshëndetje. (A2 Televizion)