Dështon konstituimi i Kuvendit të ri në Kosovë

Nga Xhevahir Qardaku
15 Prill 2025, 13:09 | Politikë

Dështon seanca për konstituimin e kuvendit të ri të Kosovës. Deputetet e partive opozitare te PDK-se, LDK-se dhe AAK-se kane kundërshtuar miratimin e raportit te komisionit verifikues te mandateve, duke sjelle ngërç politik, shkruan A2 CNN.

Kreu i PDK-se, Memli Krasniqi, sqaroi se këtë vendim e morën pasi qeveria nuk ka dhënë dorëheqjen. Tashme i takon presidentes te vendose se si do te vazhdohet me tutje. Megjithate, Albin Kurti dorëzoi dorëheqjen si kryeministër, në mënyre që të betohej si deputet, po ashtu kane bere edhe ministrat e tij. Në të gjithë sallën, ai ishte i vetmi qe kishte marrë me vete dhe një flamur kombëtar shqiptar. Seanca prodhoi dhe momente mjaft pikante, duke dhënë sinjale të shumta sa i përket koalicioneve paszgjedhore apo formimit të qeverisë së re. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Këta të fundit hynë në koalicion parazgjedhor dhe morën 8 deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por raportohet për një marrëveshje të mundshme mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj për votimin e qeverisë së re. Është raportuar gjithashtu edhe për një pakt mes Kurtit dhe Duda Balje që përfaqëson pakica boshnjake, por deputetja u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërkohë, momente pikante ka pasur edhe gjatë pauzës për verifikimin e mandateve dhe procedurës së seancës. Kurti shihet duke u konsultuar me disa pjesëtarë të partisë së tij dhe me deputetë të pakicave jo serbe. Në të njëjtën kohë, edhe liderët e PDK-së dhe të LDK-së konsultohen me anëtarët e tyre partiakë, por që i kanë kthyer shpinën kreut të Vetëvendosjes. Mes tyre nuk ka pasur ndonjë përshëndetje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos