Emisari i BE në Prishtinë, Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi, “gjallë dhe mirë”

Nga Ideal Gola
6 Gusht 2025, 15:46 | Politikë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, deklaroi se gjendja e dialogut është “gjallë dhe mirë” pas vizitës së papritur në Prishtinë. Paraditen e sëmërkurës takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti me të cilët tha se diskutoi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sorensen theksoi edhe faktin e mungesës së institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit që ndikon në dialog.

“Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit. Sigurisht, situata politike këtu nënkupton që gjërat mundtë marrin më shumë kohë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, u shpreh Sorensen.

Presidentja Vjosa Osmani tha se me Sorensen diskutoi zhvillimet e fundit në vend, rëndësinë e avancimit të integrimit europian, nevojën për të hequr masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve nga Serbia. Në lidhje me dialogun, ajo kërkoi objektiva të qarta për këtë proces.

“Një proces dialogu i drejtë, i paanshëm dhe me objektiva të qarta është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Osmani.

Sorensen mori detyrën në muajin shkurt por për shkak të zgjedhjeve në Kosovë dhe protestave në Serbi nuk ka arritur ende të bind palët për një takim të nivelit të lartë. Kurti dhe Vuçiç nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga shtatori i vitit 2023 para se të ndodhte akti terrorist i Banjskës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos