Tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë kanë qenë në fokus të bisedës së të dërguarës speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Dame Karen Pierce, me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Në një postim në rrjetet sociale ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë bën me dije se Dame Karen Pierce dhe Kurti diskutuan edhe nevojën për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, foli sot me Kryeministrin në detyrë Kurti për të diskutuar shqetësimet e saj në lidhje me tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevojën për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, njofton ambasada e Britanisë në Prishtinë.
Ambasada nënvizon se “Dame Karen theksoi që Mbretëria e Bashkuar mezi pret të mirëpresë përfaqësuesit e Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit në Mbretërinë e Bashkuar në tetor”.
Dame Karen do të flasë gjithashtu edhe me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)