Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim në komunën e Mitrovicës së Jugut pas ka ngritur dyshime për manipulime me vota. Në balotazhin e së dielës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci doli fitues përball kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.
Partia Demorkatike pretendon se në Mitrovicë pati “tren bullgar”, një fenomen i manipulimit të votave, në favor të kandidatit të Vetëvendosjes, shkruan A2.
Përparim Gruda i PDK deklaroi: “Fletëvotimet me një numër serik të caktuar që i takonin një klase janë gjetur në klasën tjetër, madje edhe në qendra të tjera të votimit pra, ka pasur bartje të një fletëvotimi nga një klasë në klasën tjetër dhe nga një shkollë në shkollën tjetër”.
Këto parregullsi sipas PDK-së janë evidentuar në shkollën “Abdullah Shabani”, “Ismail Qemali”, “Migjeni” dhe në Universitetin “Isa Boletini” që kanë shërbyer si qendra votimi të dielën.
“Ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë menjëherë në rivotim sepse janë disa qendra të mëdha në të cilat janë vërejtur parregullsi. Kërkesa jonë për rivotim në Mitrovicë do të paraqitet edhe si ankesë pranë Panelit Zgjehdor për Ankesa dhe Parashtresa”, theksoi Gruda.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi duke thënë se integriteti i procesit nuk mund të dëmtohet pasi bëhet fjalë për një gabim teknik gjatë shtypjes së fletëvotimeve.
Kompania sllovene “Cetis”, që ka shtypur fletëvotimet, pranoi përgjegjësinë duke thënë se problemi ishte tek një nga katër pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit: “Procesi ynë i prodhimit dhe kontrollit të cilësisë së fletëvotimeve kërkon verifikimin e numrit serik në çdo deng prej 50 fletëvotimesh. Çdo deng përfshin një kod QR për të siguruar që çdo qendër votimi të marrë sasinë dhe përmbajtjen e saktë të fletëvotimeve sipas planit të shpërndarjes. Përveç numrit serik, çdo fletëvotim përmban edhe numrin e qendrës së votimit. Këta dy elementë - numri serik (kodi QR) dhe numri i qendrës së votimit - shtypen nga pllaka të veçanta ngjyre të pozicionuara në vende të ndryshme në fletëvotimin”.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës pezulloi numërimin e votave për një periudhë 14 orëshe.
Fillimisht rasti i ishte caktuar prokurorit Shpëtim Peci, meqë ishte prokuror kujdestar në ditën e votimit. Ndaj tij pati ankesa se ishte i afërm i Faton Pecit, kanidatit fitues të se dielës.
Rasti më pas u mor nga kryeprokurori i Mitrovicës, Njazi Gashi.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit që Rexha të përjashtohet nga ky rast meqë ka konflikt interesi por edhe të merren masa disiplinore meqë nuk dha arsyetim për largimin e prokurorit Peci nga rasti.
Sipas Vetëvendosjes, kryeprokurori i Mitrovicës, që urdhëroi ndërprerjen e numërimit, është bashkëshorti i Nafije Rexha, kandidate për këshilltare komunale nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 12 tetorit.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës njoftoi në orët e pasdites se prokurori tjetër i saj Sahit Tmava, ishte caktuar përgjegjës për rastin e fletëvotimeve. (A2 Televizion)
