
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim.
Gruda, në një konferencë për media, tha se PDK do ta mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, sepse vota dhe demokracia janë të shenjta.
“Mitrovica duhet të shkojë në rivotim, sepse janë disa qendra, ndër më të mëdhatë në atë qytet, ku janë vërejtur parregullsi të tilla. Sepse vetëm përmes një procesi të pastër, mund të garantohet legjitimiteti i rezultatit dhe besimi i qytetarëve në demokraci. PDK siguron qytetarët e Kosovës se do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar që e vërteta të dalë në dritë dhe që çdo aktor përgjegjës të përballet me drejtësinë”, theksoi deputeti i PDK-së.
Dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.
Gruda tha se bartja e fletëvotimeve nuk ka guxuar të ndodhë, duke vlerësuar se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, sepse është shkelur Ligji për Zgjedhjet, rregullat e KQZ-së, si dhe standardet e Komisionit të Venecias për një proces të drejtë dhe të lirë zgjedhor, shkruan A2 CNN.
“Kodi që ndodhet në çdo fletëvotim shërben si element identifikues i vendvotimit dhe si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një qendër në tjetrën. Ky kod është një nga elementet themelore të integritetit zgjedhor, që mbron vullnetin e lirë të qytetarit nga çdo tentim manipulimi apo keqpërdorimi. Prandaj, çështja e kodit nuk është thjesht teknike, por një çështje thelbësore ligjore dhe kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e votës dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor. Rastet e konstatuara konkretisht janë këto: Në shkollën “Abdullah Shabani”, janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera. Në shkollën “Ismail Qemali”, është gjetur një fletëvotim që i përkiste qendrës “Universiteti Isa Boletini.” Në një klasë të shkollës “Abdullah Shabani”, është gjetur fletëvotimi që i takon qendrës së votimit të shkollës “Migjeni”. Në shkollën “Migjeni”, janë gjetur gjithashtu fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën”, deklaroi ai.
Sipas PDK-së, në aq kuti sa janë numëruar deri më tani në Mitrovicë, është vërejtur se ka po aq fletëvotime të bartuara nga një klasë në tjetrën, apo nga një qendër në tjetrën dhe të gjitha këto dyshime shtohen, kur shihet që Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë, ku dalja në votime në balotazh është më madhe sesa në raundin e parë.
“Ju e dini, në vitin 2011, Mitrovica ka shkuar në rivotim për shkak të dështimit të baterive, si rrjedhojë e dështimit të KQZ-së për të garantuar proces zgjedhor të rregullt. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më i madh, më serioz dhe absolutisht më ndikues në lëndim të procesit. Të gjitha këto janë shkelje të qarta të Ligjit për Zgjedhjet dhe të Rregullave të KQZ-së, që ngrejnë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe për aktivizim të të ashtuquajturit “treni bullgar”, një mekanizëm i njohur që mundëson blerjen ose manipulimin e votës. Siç e dini, për ta vënë në funksion atë mekanizëm, mjafton një fletëvotim i devijuar. Në këtë rast, kemi disa fletëvotime që janë gjendur në vende të gabuara”, shtoi Gruda.
PDK vlesrëson se procesi zgjedhor në Mitrovicë është shoqëruar me presion të madh, me ndërhyrje në proces, me përdorim të institucioneve të shtetit dhe ndikim në votues dhe se kjo është vërejtur edhe në ditën e votimit, ku i gjithë kabineti qeveritar ka qëndruar në këtë komunë.
“Partia Demokratike e Kosovës, përveç denoncimeve të bëra dhe dorëzimit të fakteve pranë organeve të rendit dhe drejtësisë, do të dorëzojë sot zyrtarisht ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në këtë ankesë, do të përfshihen të gjitha provat dhe dëshmitë relevante të mbledhura nga komisionerët tanë në qendrat e votimit”, tha Gruda. (A2 Televizion)
