Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thekson rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, si dhe partneritetin me NATO-n, duke i konsideruar jetike për vendin.
Duke folur në Universitetin Eötvös Loránd gjatë vizitës në Hungari, ajo shprehu përkushtimin e palëkundur të shtetit për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike.
“Kosova është e vendosur të bëhet pjesë e plotë e familjes së shteteve euroatlantike dhe se aleanca me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe partneriteti me aleatët e NATO-s përbëjnë shtylla të qëndrueshmërisë rajonale dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e hapësirës euroatlantike”, tha Osmani.
Duke vënë në pah dimensionin historik të marrëdhënieve shqiptaro-hungareze, Presidentja solli në vëmendje kontributin e dy figurave emblemë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janos Hunyadi:
“Në shekullin e 15-të, shqiptarët dhe hungarezët qëndruan krah për krah për mbrojtjen e qytetërimit europian. Ishte një aleancë mbi vlera shpirtërore, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta si liria, identiteti dhe dinjiteti. Sot, në një Europë që po ndryshon, ky trashëgim frymëzues na udhëzon për të ndërtuar partneritete që reflektojnë vizionin e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të bashkuar”, deklaroi presidentja.
Gjatë vizitës në Hungari, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj atje si dhe me kryetarin e parlamentit. (A2 Televizion)