Vuçiç i ankohet Sorensen për Kosovën: Turqia e të tjerë luftojnë për njohje, por do të kenë një surprizë

Nga Rosalba Bejdo
13 Qershor 2025, 21:14 | Politikë

Gjatë qëndrimit në Pragë, Vuçiç u takua me përfaqësuesin e BE për dialogun, Peter Sorensen, të cilit, siç tha, iu ankua për gjithçka që Prishtina po bën kundër serbëve të Kosovës.

“Theksova se Serbia është plotësisht e përkushtuar për të gjetur zgjidhje kompromisi përmes dialogut, me respekt të plotë për partnerët ndërkombëtarë dhe me konsideratë të qartë për interesat e popullit tonë. Theksova se për vazhdimin e dialogut, është thelbësore të kthehemi te themelet e lëna pas dore të çdo bisede të mëtejshme, siç është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiç, shkruan A2.

Ndërkohë, që më herët ai tha se situata aktuale ku, sipas tij, serbët janë të keqtrajtuar, forcon pozicionin e Serbisë për të vazhduar punën për të ruajtur integritetin e saj territorial.

“Kjo forcon qëndrimin tonë tjetër, që është vendosmëria për të vazhduar punën për të ruajtur integritetin tonë territorial në luftën kundër kundërshtarëve të fuqishëm si Turqia dhe disa vendeve të tjera që po punojnë me shkathtësi për të njohur pavarësinë e Kosovës. Por, së shpejti do të kemi surpriza nga dy pjesë të ndryshme të botës për partnerët tanë që po luftojnë për njohje, kështu që do të përgjigjemi me mosnjohje”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos