Mbi 50 organizata të shoqërisë civile u bëjnë thirrje partive ta zhbllokojnë ngërçin në Kuvend

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 17:44 | Politikë

Mbi 50 organizata të shoqërisë civile u bëjnë thirrje

Dhjetëra organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive parlamentare, në veçanti partisë fituese të zgjedhjeve, ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës, duke thënë se Kuvendi nuk mund të mbetet peng dhe se bllokada po e cenon rendin demokratik.

Kosova është pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare, pasi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin në 39 përpjekje radhazi.

Dështimi më i fundit erdhi të dielën, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese u dha afat kohor prej një muaji të enjten dhe përkundër takimit të Albin Kurtit, liderit të partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, me krerët e partive të tjera parlamentare të shtunën.

Në një komunikatë të përbashkët, 52 organizata të shoqërisë civile u bënë thirrje “të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar”.

Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur, me partitë e tjera që e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

Organizatat e shoqërisë civile e kritikuan qasjen e Vetëvendosjes, duke thënë se gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë “nuk është absolute, ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”.

Ato e kritikuan kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari që vjen nga Vetëvendosje, se ka devijuar nga “rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare”.

“Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”, thanë ato.

Në komunikatën e tyre tutje thuhet se në vazhdimin e seancës konstituive të dielën “u shkel qartazi aktgjykimi” i Gjykatës Kushtetuese.

“Përmes instrumentalizimit të kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues”, thuhet në reagim.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë votimi i fshehtë është jokushtetues sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tij, thotë në mënyrë të qartë, se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

“...që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.

Lideri dhe deputetë të Vetëvendosjes kanë ngulur këmbë se në aktvendimin e saj, Kushtetuesja nuk ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues.

Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, i ka fajësuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë se po e keqinterpretojnë aktgjykimin, duke thënë se në takimin që kishte me to të shtunën ofroi edhe kompromise.

Por, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i kërkuan Kurtit që të mos vazhdohen seancat me skenarin e njëjtë, pra me votimin e fshehtë.

Kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Kushtetueses ka deklaruar se do të tërhiqej nga kandidimi nëse në votimin e fshehtë nuk i siguron 61 votat e nevojshme.

Ndërkohë, të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos