Rrugëdaljet nga kriza, pezullimi i afatit nuk pritet të zgjidhë ngërçin

Nga Ideal Gola
24 Korrik 2025, 20:05 | Politikë

Kërkesa e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit që do të thoshte edhe ndërprerjen e seancave çdo 48 orë, nuk shihet se mund të ndihmojë ngërçin.

Osmani tha se kërkesën e bëri me qëllim që të parandalohet dëmi i pariparueshëm dhe të mbrohet interesi publik, dy kritere të mjaftueshme për të nxjerrë një masë të tillë, derisa të sqarohet se çfarë ndodh pas përfundimit të afatit.

“Nuk po bёhet ndonjё dёm i pariparueshёm nё Kuvendin e Kosovёs me kёto tentimet e njёpasnjёshme tё cilat po bёhen, pasi tentimet janё legjitime, rregullohen me rregulloren e Kuvendit, mirёpo thjesht duhet njё vullnet e kompromis politik, pasi Gjykata Kushtetuese nuk mund ta imponojё vullnetin e deputetёve”, deklaroi për A2 CNN Melos Kolshi nga IKD.

Në kërkesën e parë të drejtuar nga AAK, Kushtetuesja nuk e pa të nevojshme të aplikojë masë të përkohshme për ndalimin e vazhdimeve të seancës konstituive.

“Masa e përkohshme që ka kërkuar presidentja, bie ndesh me aktgjykimin, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta demolojnë vendimin e vet. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është urdhër, është ligj, d.m.th për 30 ditë”, u shpreh për A2 CNN, Kadri Kryeziu, ish-Gjyqtar i Kushtetueses.

 Ka edhe dyshime nëse deputetët kanë të drejtë të mblidhen pas të shtunës kur përfundon afati 30-ditor.

“Pas afatit 30 ditor deputetët përsëri me vet faktin që nuk ka pasoja në aktgjykimin e Gjykatës Kushtuese, deputetët përsëri mund të mblidhen, mund të tentojnë e mandej nëse konstituohet pas afatit prej 30 ditëve dikush mundet që ta kontestojë këtë vendim dhe mundet që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese”, tha për A2 CNN Melos Kolshi nga IKD.

Mungesa e pasojave juridike në vendimin e parë të Kushtetueses mbi situatën dhe leximi ndryshe i të njëjtit vendim i dha mundësi partive që të mos gjejnë kompromisin dhe të hyjnë në një situatë të paprecedentë për shtetin e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos