Analistët politikë besojnë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate mund të arrijnë koalicion gjatë këtyre ditëve deri në përfundimin e afatit 30 ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj deri më tani janë takuar disa herë por nuk kanë arritur të konkretizojnë marrëveshjen për shkak të postit të kryeparlamentarit për të cilin këmbëngul Nisma.
Të hënën, Kurti tha se i ka bërë një ofertë konkrete Limajt duke i lënë pak kohë të vendosë.
“Ky koalicion është më rëndësi që të zhbllokojë situatën politike, diçka e tillë mund të jetë e mundshme me Nismën dhe minoritetet pa Listën Serbe, së pari është në interesin e tyre pasi pas 26 korrikut mund të decertifikohen si deputetë dhe; e dyta mund ta pamundësonte paralizimin e jetës institucionale në Kosovë”, deklaroi për A2 CNN analisti Arbnor Sadiku.
Analistët presin që Limaj të pranojë të këmbejë postin e kryeparlamentarit me poste të tjera në kabinetin ekzekutiv.
“Edhe Limaj e ka kuptuar momentumin politik që ai luan me kartat e tij politike derisa ka mundësi për të luajtur në momentin që ka një afat të prerë mendoj se edhe ai është i gatshëm që të merr ndonjë ministri, ashtu kështu kjo qeveri s’do të jetë shumë jetëgjatë dhe mund ta sigurojë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të hyjë në koalicion me Albin Kurtin në mënyrë që të mos penalizhet nga pragu elektoral prej 5%”, u shpreh për A2 CNN analisti Arbnor Sadiku.
Sa i përket jetëgjatësisë së një qeverie te mundshme mes Vetëvendosjes dhe Nismës, ka mendime të ndryshme.
Shumica e re pritet të jetë e brishtë sa i përket numrave dhe në fillim të vitit të ardhshëm është zgjedhja e presidentit. Dështimi për të votuar kreun e ri të shtetit rrëzon Qeverinë.
Mirëpo, llogaritë për presidenten mund të ndryshojnë kur të afrohet koha.
“Nëse krijohet një koalicion i tillë unë e shoh jetëgjatë këtë koalicion pavarësisht që i ka 61 numra sepse nuk do të kush ta sfidojë dhe do të jetë interes si i Partisë Demokratike të Kosovës ashtu edhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës që t'i vazhdohet jeta me shpresën që sa më tepër qëndron z. Kurti në pushtet aq më shumë do të gabojë dhe do të rikthehet në fitoren e tyre kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh për A2 CNN Afrim Kasolli, analist politik.
Kuvendi po dështon të konstituojë veten që nga nisja e seancës më 15 prill. Legjislatura e nëntë doli nga zgjedhjet që u mbajtën më 9 shkurt. (A2 Televizion)