Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i kërkesës u tha se është që të qartësohet situata lidhur me moskonsitutuimin e Kuvendit brenda afatit 30 ditor dhe të sqarohet se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues në mungesë të konstituuimit të Kuvendit.
Duke qenë se kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati i përcaktuar më herët ngë Kushtetuesja për mbylljen e seancës konstituive, dhe se zgjidhja nuk duket në horizont, tashmë kërkohen sqarime shtesë.
“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë në esencë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituuimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.
Osmani tha se kjo kërkesë bëhet me qëllim të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konsittuuimin e Kuvendit, pra në rast se ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda pak ditësh ne mund ta tërheqim kërkesën edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmw janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë por edhe për legjislaturat e ardhshme”, theksoi presidentja Osmani.
Kushtetueses i është kërkuar të sqarojë se çka ndodh në rast se Kuvendi konstituuohet pas 26 korrikut, për shkak të ndërveprueshmërisë dhe varësisë që kanë institucionet me njëra-tjetrën.
Me qëllim që të parandalohet dëmi i pariparueshëm dhe të mbrohet interesi publik, Osmani i ka kërkuar Kushtetueses që të pezullojë edhe rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“Bashkë me këtë kërkesë kemi paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh, kërkesë për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundër kushtetuese dhe do të ishim të pasafatshme”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se edhe institucioni i saj nuk po arrin të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat kushtetuese për shkak të mungesës së Kuvendit. (A2 Televizion)