Rreth 17 700 qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut do të mund të zgjedhin kryetarin e ri dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin Komunal, ashtu sikurse edhe në 37 komunat e tjera.
Që në minutat e para pas hapjes, vihet re një interesim për të votuar në shkollën teknike në Mitrovicë Veri.
Në garë për kryetarë të kësaj komune janë dhjetë kandidatë, përfshirë kryetarin aktual Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan A2.
Në këto zgjedhje lokale në katër komunat veriore garon edhe Lista Serbe që kishte bojkotuar zgjedhjet e parakohshme të vitit 2023, pasi më parë ishin tërhequr nga institucionet e Kosovës.
Qytetarë të shumtë serbë janë mbledhur pranë selisë së Listës Serbe si vendgrumbullim për t’u nisur më pas drejt qendrave të votimit.
Zllatan Ellek, kryetar i Listës Serbe, u shpreh pas votimit: “Është shumë mbresëlënëse dalja e madhe e njerëzve. I ftoj të gjithë të votojnë në një ditë të qetë dhe të shkojë qetë, që t’i zgjedhim udhëheqësit lokal”. (A2 Televizion)