Partitë politike parlamentare në Kosovë më në fund ranë dakord… për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ato kishin qëndrim të unifikuar, që më 7 qershor shtetasit e Kosovës me të drejtë vote duhet t’i drejtohen sërish kutive të votimit për arsye se paraprakisht të njëjtat nuk u morën vesh për presidentin e ri.
Legjislatura e dhjetë do të mbahet mend si një nga më jetëshkurtrat në historinë e shtetit të Kosovës. Ajo u konstituua më 11 shkurt dhe u shpërnda më 28 prill. Ndërmjet këtyre datave, ishte një periudhe prej tre javësh kur puna e saj ishte e pezulluar me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Përpjekjet, nëse mund të quhen ashtu, për të zgjedhur presidentin e ri shtrihen në dy periudha, para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Para vendimit, kryeministri, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas vendimit, Kurti takoi vetëm Abdixhikun, ndërsa më Hamzën nuk arriti të takohet pasi kryetari i PDK-së i kërkonte paraprakisht një letër, të cilën nuk e mori asnjëherë, e ku Kurti do ta sqaronte se cilat ishin propozimet e tij për të dhënë zgjidhje situatës.
“Lirisht mund të themi që nga fillimi u duk që nuk ka pasur një seriozitet që kjo çështje të përfundojë me një marrëveshje, me konsensus, me mirëbesim të subjekteve parlamentare që ta zgjedhim Presidentin. Normalisht që fituesi i zgjedhjeve tentonte që nëpërmjet improvizimeve politike të diskutimeve kinse për marrëveshje, të zvarriste kohën dhe të sillte rezultatin ku sot edhe ashtu e kemi. Kurse nga ana tjetër, partitë opozitare, duke i përfshirë këtu dy të mëdhatë LDK-në dhe PDK-në, u duk që më tepër kalkulonin mbi atë se si ta impononin një farë lloj procesi të zgjedhjes së Presidentit duke mos e lejuar ndikimin e plotë të partisë në pushtet në zgjedhjen e atij Presidenti”, thotë për A2 Vullnet Bugaqku, monitorues i Kuvendit, KDI.
“Takimet kanë qenë të mbyllura, të cilat edhe nëse duhet të jenë të tilla, në fund do të duhej që kryeministri, kryetari i partisë më të madhe politike në vend, përfshirë edhe liderët e partive opozitare, si zoti Abdixhiku dhe zoti Hamza, duhet të tregonin se çfarë është biseduar. Ndoshta për arsye të mirëbësimit të mos i tregojnë të gjitha por së paku publiku duhet të dinte disa informata. Ne inforamcionet për çka janë zhvilluar takimet i kemi marr krejt pasi që është ditur se nuk do të ketë më takime fare. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk është e shëndetshme për demokracinë dhe transparencën”, thotë Naim Jakaj, monitorues i Kuvendit, IKD.
“Gjithsesi që është dashur më herët të trajtohet, madje menjëherë pas zgjedhjeve të fundit, çështja e presidentit për një marrëveshje ose një kompromis mes partive politike të opozitës dhe pozitës. Një gjë të cilën në fillim fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri Kurti nuk e ka vënë në prioritet në parë. Por meqë ne punët po i lëmë sipas partive tona politike në momentet e fundit, e që nuk është mirë sepse janë çështje të rëndësishme dhe kushtëzuese. Kjo është një çështje që kushtëzon dhe e devalitizon faktikisht, e zhbën nëse doni kushtimisht në thonjëza gjithë procesin elektoral dhe zgjedhjen e qeverisë dhe të konstituimit të Kuvendit”, thotë Mazllum Baraliu, profesor universitar.
Vetëm në javën e fundit, u kuptua se Kurti i ofroi LDK-së marrëveshje për të bashkëqeverisur. Posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri të tjera, përfshirë dikasterin për Punë të Jashtme, iu ofrua në këmbim të votës për Glauk Konjufcën për president.
Oferta e dytë ishte posti i kryeparlamentarit, si përgjigje që Vetëvendosje të mos ketë të tri pozitat kryesore. LDK refuzoi të dy ofertat. Një ofertë e ngjashme me kreun e Kuvendit iu bë edhe PDK-së, të cilën edhe ajo e refuzoi mënjeherë.
“Gjithmonë është dashur unë t'i ftoj në takime në mënyrë që të diskutojmë. E në këto takime, përveçse nuk i ftonin ata, nuk pat as propozime konkrete prej tyre. Në mungesë të propozimeve konkrete, ne propozuan kandidatët tanë. [...] Kur kandidatët tanë u refuzuan, ne hoqëm dorë dhe ju e dini që i ofruam opozitës të zgjedhë tre kandidatë konsensualë.[...] Kjo ofertë ka qëndruar për shumë kohë, mjaftueshme për t'u përgjigjur, mirëpo ende s'kemi pranuar asnjë propozim. [...] Në këtë sallë jashtë saj e nëpër studio televizive me zë të lartë pretendojnë se Vetëvendosje po i kap të gjitha pozitat. Por që kur ju ofruam mundësia konkrete për t'u bërë pjesë e zgjedhjes, kanë zgjedhur heshtjen”, tha kryeministri Kurti.
“Nëse asnjë s’e arrit me bind, nuk janë të gjithë fajtorë. Kur kërkush nuk do me ty, e s’mundet me ty, bëni pyetje veten pse po ndodh kjo? A ke i qenë serioz? A ke i qenë i përgjegjshëm? Çka kemi thënë ne në Partinë Demokratike prej fillimit? Asnjëherë s’kemi qit vija të kuqe. Kemi folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike. Kemi thënë që le të zgjidhet presidentja apo presidenti i propozuar prej Partisë Demokratike të Kosovës asnjëherë s’janë trajtuar në mënyrë serioze”, tha kreu i PDK, Bedri Hamza.
“Edhe për shkak të kushtetutës dhe sistemit të Kosovës, duke qenë që në momentin që do të duhej njëfarë konsensusi më i gjerë, atëherë pritej që nuk do të kemi marrëveshje politike, sepse klima mbizotëruese që mbretëron midis pushtetit dhe opozitës së sotshme, domethënë është kaq klimë mosbesuese edhe është kaq polarizim i thellë, që po duket që ishte e pamundshme për përzgjedhur çështjen e presidentit. Pastaj natyrisht që është edhe një çështje tjetër, është ajo që mosgatishmëria e zotit Kurti për ta rikandiduar ose për ta provuar, për ta rimandatuar Vjosa Osmanin”, tha Belgëzim Kamberi, njohës i çështjeve politike.
Të shtunën e 25 prilli, Vetëvendosje i kërkoi opozitës tre emra prej të cilëve do të përzgjidhte një.
Të dy kandidatët e saj deri në atë kohë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollcaku u tërhoqën dy ditë më vonë gjatë një seancë të Kuvendit.
“Mazhoranca e nxjerr një person të cilin supozoon për të cilin që opozita e ka respektin më të madh dhe meqënse ky nuk është pranuar prej opozitës, kemi kaluar në modusin tjetër, tërhiqet Glauk Konjufca, tërhiqem unë dhe ja ku i keni vendet për më zgjedh rpesidentin e Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Në të njëjtën natë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi me shpejtësi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate për presidente. E preferuara e Kurtit ishte Rushiti për të cilin pati një raund votimi ku mori 63 vota.
“Pranova të marr këtë post për me tejkalu edhe vetveten për hir të një qëllimi të madh: stabilizimin e institucioneve dhe ecjen e Kosovës përpara. Dua t'ju bëj të qartë se ky kandidim nuk ka qenë ambicie as aspiratë për pozicion e as për pushtet. Ka qenë vetëm një përpjekje e sinqertë, një kontribut për vendin tim, si person jopartiak që t’i japë mundësi zgjidhjes së ngërçit politik që aktualisht po e kalon vendi”, tha ajo.
Emri i Vjosa Osmanit u rikthye sërish në qendër të diskutimit në 72 orët e fundit para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit. Kjo u lidh pas ofertës së Vetëvendosjes që kërkoi emra nga opozita.
Meqë Vetëvendosje nuk dha asnjë garanci që do të mbështeste me votë në seancë, LDK asnjëherë nuk e çoi si propozim zyrtar.
“Mendoj që zonja Osmani si figurë politike u bë pjesë e betejës politike së pari midis pushtetit dhe opozitës, ku faktikisht domethënë edhe opozita e sheh te zonja Osmani një mundësi mbase një gjasë për ta ndryshuar domethënë rezultatin zgjedhor, për ta tkurrur Lëvizjen Vetëvendosje elektoralisht. Por në anën tjetër u pa edhe si njëfarë beteje midis Vetëvendosjes dhe LDK-së. Pra Vjosa Osmani u bë domethënë pjesë e betejës edhe sot e asaj dite ajo është njëfarë figure politike e cila është pjesë përbërëse e betejës elektorale midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së”, tha Belgëzim Kamberi, njohës i çështjeve politike.
“Është kërkuar konsensus, kemi marrë pjesë në takime. Është kërkuar emër, kemi dhënë edhe mundësinë edhe emrin për President. Na janë kërkuar nënshkrimet, janë ofruar ato nënshkrime. Por në fund, në thelb të problemit është parë që ky emër, pra Vjosa Osmani, është synuar më tepër si kuorum për një president që ata e quajnë 'karate'. Ne Vjosën nuk e shohim si kuorum për presidentin e tyre që tashmë i kishte votat e tyre. E shohim më shumë se kaq, si presidente e denjë e Republikës së Kosovës, por këto vota nuk u dhanë nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha kreu i PDK, Abdixhiku.
“Zoti Kurti ai i cili po duket që nga fillimi që nuk është i gatshëm për të investuar për zonjën Vjosa Osmani, edhe pse nuk e kuptuam kurrë realisht arsyet politike, sepse ai jepte arsye procedurale, çështje numrash, po arsyen politike pse zonja Osmani nuk mund ta ketë fatin e zonjës Ferdie Rushiti, së paku të provohet zonja Osmani, nuk e kuptuam kurrë nga Albin Kurti. Edhe besoj që zonja Osmani dhe Albin Kurti, të cilët me shumë gjasë do të jenë rivalët gati se kryesorë në këto zgjedhje, do të ishte mirë që opinionit kosovar t’ia shpjegojnë se pse ka ndodhur realisht kjo thyerje midis tyre sepse sot e asaj dite nuk po e kuptojmë”, tha Belgëzim Kamberi, njohës i çështjeve politike.
Në ditën kur u bënë katër muaj nga zgjedhjet e 28 dhejtorit, Kosova shkoi në zgjedhje të reja. Duket sikur vendi ka hyrë në një cikël të pafund zgjedhjesh në mungesë të një kompromisi politik.
“Proceduralisht diku deri në tre muaj mund të marrin kohë këto procedura të certifikimit të rezultateve, konstituimit të parlamentit, zgjedhjes së qeverisë, pastaj edhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Kështu që pasojat do të jenë të mëdha, në kuptimin edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur pa u ratifikuar, miliona euro, sidomos kjo marrëveshja për IPA-n që do të duhej të kryhej në qershor nëse nuk gaboj, atëherë do të jetë një mori pasojash, qoftë financiare, qoftë politike, por qoftë edhe ekonomike në kuptimin e inflacionit edhe të mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj autoriteteve dhe agjencive të pavarura”, tha Vullnet Bugaqku, monitorues i Kuvendit, KDI.
“Nuk është mirë për Republikën e Kosovës që vendi të shkojë çdo vit ose dy herë në vit në zgjedhje. Mund të ndodh për arsye të jashtëzakonshme por Kosova nuk ka pasur gjendje të jashtëzkonshme ose arsye që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme çdo 3-4 muaj. Përveç kostos financiare që është kosto neto që merren para cash prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, pastaj edhe pasojat janë të rënda. Fillimisht ndoshta nuk vihen re. Vitin e kaluar mund të ishim bërë pjesë e Këshillit të Evropës, kemi mundur të jemi në vitin 2024 kur patëm institucione nuk mundëm në vitin 2025 sepse nuk kishim institucione. Tash gjasat janë që nuk do të jemi as këtë vit për shkak se nuk kemi institucione dhe këtë duhet ta kishte parasysh partitë politike secila veçanërisht ajo që është e para Lëvizja Vetëvendosje”, tha Naim Jakaj, monitorues i Kuvendit, IKD.
“Prej 9 shkurtit të vitit 2025, Kosova ka hyrë në një fazë të jostabilitetit politik dhe kjo me vullnetin maksimal të subjektit i cili e ka për synim thelbësor grabitjen e fuqisë përbrenda hierarkisë shtetërore të vendit dhe maksimalisht në segmente të tjera. Kulturë kjo politike aspak e ndershme për nevojat e qytetarëve të vendit”, tha Albinot Maloku, njohës i çështjeve politike.
Me shpërndarjen e Parlamentit, Kosova sërish do të ketë një Qeveri në detyrë. Mungesa e mbikëqyrjes së ekzekutivit gjithashtu shihet me shqetësim pasi edhe i gjithë viti 2025 kaloi me një Qeveri pa mandat ligjor.
“Përgjatë 18 muajve të fundit, deputetët dhe qytetarët nuk kanë mundur të shohin deputetët se si mbikëqyret qeveria. Kuvendi nuk ka mundur të kryejë punën e vet sepse nuk ka pasur Kuvend të konstituuar dhe, rrjedhimisht, qeveria nuk është mbikëqyrur nga legjislativi, që është një tipar kryesor i një republike parlamentare demokratike siç është Kosova”, tha Naim Jakaj, monitorues i Kuvendit, IKD.
“Kjo bllokadë ose kjo krizë kushtetuese dhe parlamentare do ta afektojë edhe punën e qeverisë së Kosovës, por më së shumti do të theksohet mungesa e mbikëqyrjes parlamentare ndaj punës së qeverisë. Sepse, pavarësisht që i kanë kompetencat e kufizuara, kanë edhe një numër të kompetencave ose të fushëveprimit që ata mund ta kryejnë deri në zgjedhjen e qeverisë së re, por nuk do të ketë mbikëqyrje parlamentare dhe askush nuk do të ketë, pra parlamentari i Kosovës nuk do të jetë mekanizmi që do ta mbajë në kontroll: së pari mënyrën e shpenzimit të parave publike, dhe së dyti mënyrën dhe llojin e vendimmarrjes që do ta ndërmarrin këta ministra në baza të përditshme”, tha Vullnet Bugaqku, monitorues i Kuvendit, KDI.
Pyetja më e rëndësishme mbetet çfarë do të ndryshojnë zgjedhjet? A mund të ketë rikonfrimim të Lëvizjes Vetëvendosje me 50%, tkurrje të saj e rrjedhimisht rritje të partive opozitare. Dhe më e rëndësishmja a do të sjellin zgjidhje për situatën ku Kuvendi i ri do të ketë vetëm 60 ditë kohë nga momenti i konstituimit për të zgjedhur presidentin e ri.
“Thjesht Vetëvendosja do të jetë përsëri dhe mund të jetë partia më e madhe fituese dhe përsëri parametrat aq më tepër kur nuk ka dialog serioz dhe organizim të opozitës, opozita do të mbetet e shpërndarë dhe pa ndonjë mundësi që ta largojë nga pushteti tani fituesin e zgjedhjeve dhe të marrë ajo pushtetin ose të marr në dorë qeverisjen e vendit”, tha Mazllum Baraliu, profesor universitar.
“Procesi zgjedhor si i tillë do t’i ndryshojë pozicionet e subjekteve politike, kur them pozicionet aludoj tek pozicioni i tyre përbrenda Kuvendit të Republikës dhe për rrjedhojë të shpresohet gjithmonë që megjithatë në një moment të caktuar do të kuptojnë që kryefjala e rendit kushtetues dhe e sistemit politik në Republikën e Kosovës është kompromisi, konsensusi. Përderisa nuk njihet ky togfjalësh, kjo kryefjalë si bartëse e gjithë përparimit në vend me rregullimin aktual kushtetues dhe politik në vend, nuk ka asgjë”, tha Albinot Maloku, njohës i çështjeve politike.
Një arsye për më shumë optimizëm për zgjidhjen e krizës është fakti se në tryezë të negocimit janë të gjitha postet e larta, përfshirë edhe presidentin.
“Dy elemente janë të cilët mund të shpien në një zgjidhje, në zhbllokim ta quajmë më shumë kështu. Elementi i parë është faktikisht të kemi rezultat tjetër, pra qoftë për pushtetin, qoftë për opozitën. Pra që njëra palë të themi kështu të rritet dukshëm, dukshëm, të rritet relativisht pra ta themi kështu. Dhe elementi i dytë që e thash optimist është që kësaj radhe do të negociohet për krejt institucionet. Edhe megjithatë kur negociohet për krejt institucionet, atëherë besoj që ka më shumë hapësira edhe për negociata edhe për kompromise edhe për konsensuse. Elementin të themi kështu më jo-optimist është elementi që do ta kishim një situatë pothuajse shumë të ngjashme në rezultate, ku polarizimi gjatë fushatës do të shkojë deri në ekstrem, sa pothuajse do të jetë e pamundur edhe do të kemi përsëri bllokim edhe të shkojmë përsëri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Belgëzim Kamberi, njohës i çështjeve politike.
“Në zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jetë procesi i zgjedhjes së presidentit i ndarë nga qeveria dhe nga kuvendi. Do të duhet të bëhet një marrëveshje politike për tejkalimin e kësaj krize qoftë edhe me mospërfshirjen e ndonjë partie politike me partinë që del e para por do të duhet të mbizotëronin që janë të kushtetutës, një president që është i paanshëm mbi të gjitha palët dhe kriteret e tjera që përcaktojnë që janë administrative dhe kriteret që kërkon një president që duhet të jetë unifikues, ose 30 kompetencat te kushtetuta e Kosovës që i ka presidenti, ta dimë paraprakisht, dy muaj di të përpara, që kandidatët që do të vijnë a i plotësojnë ato kritere që janë të përcaktuara me kushtetutë”, tha Naim Jakaj, monitorues i kuvendit, IKD.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë i detyruar që në afate të shkurtuara të organizojë një tjetër proces zgjedhor.
Për shkak të përvojës me 9 shkurtin dhe 28 dhjetorin e vitit të kaluar, kërkohet vëmendje më e madhe për votat e diasporës dhe procesin e numërimit të votave, që konsiderohen si dy sfida për KQZ-së.
“E para është administrimi i procesit të votimit të votave nga diaspora, fletëvotimet që dërgohen dhe që kthehen në Kosovë. Edhe herën e fundit pamë se ka pasur një administrim jo të mirë të menaxhimit të këtyre votave. E dyta është procesi i mbikëqyrjes dhe kontrollit të punës së komisionerëve nëpër qendrat komunale të numërimit. pra numri i madh i hetimeve, numri i madh i komisionerëve të arrestuar në zgjedhjet e fundit dëshmojnë që KQZ-ja duhet të shtojë kapacitetet e mbikëqyrjes së këtyre anëtarëve të komisioneve nëpër qendrat komunale të numërimit për ta parandaluar tjetërsimin e vullnetit të votës së qytetarit”, tha Vullnet Bugaqku, monitorues i kuvendit, KDI.
Më 7 qershor do të votojmë! Deri atëherë do të kemi miliona euro më pak që do të dedikohen për zgjedhje, nuk do të kemi një Kuvend për të çuar përpara projektligjet dhe as për t’u siguruar që Qeveria e cila vetë do të jetë e kufizuar në përgjegjësi, është në binarë.
Shpresojmë të paktën ta gjejmë presidentin, sepse posti që dikur përshkruhej si ceremonial, sot është kthyer në betejën më të madhe të politikës kosovare dhe nyjën kryesore të pazareve politike. (A2 Televizion)