Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Bruksel, mori pjesë një diskutim të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, me temë "Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike".
Aty ai mbajti një fjalim hyrës dhe pastaj iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të pjesëmarrësve në këtë ngjarje.
Kurti përgjatë fjalimin të tij dhe diskutimit theksoi se BE-ja duket se ka vendosur themelet për një marrëdhënie më të ngushtë, bashkëpunim më të thellë dhe një rrugë të strukturuar për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Kosova nuk ka plan B për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë strategjik, i bazuar në merita dhe real.
“Për më shumë se një dekadë, populli i Kosovës ka ëndërruar të bëhet pjesë e BE-së—jo vetëm për premtimin e pasurisë, por për vlerat që mbart BE-ja, interesat e përbashkëta që ndajmë dhe mundësinë tonë për të kontribuar si anëtar i Bashkimit Evropian. Ne kemi reformuar, forcuar dhe alignuar veten me standardet e BE-së. Për më tepër, Kosova nuk ka një Plan B për anëtarësimin në BE. Kosova ka dëshmuar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj evropiane. Si një shembull i demokracisë në rajon, ne kemi treguar angazhimin tonë kur është dhënë mundësia e barabartë. Është koha që BE-ja të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të të ardhmes së saj”, ka thënë ai.
Ai ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO janë qëllime strategjike të vendit tonë.
Nënvizoi faktin se Kosova mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe vlerat e BE-së si pjesë e reformave të vazhdueshme, si dhe ka një kornizë ligjore moderne dhe të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë atyre të pakicave.
Ky diskutim u moderua nga Dr. Tinatin Akhvlediani, hulumtuese në CEPS. Kosovapress. (A2 Televizion)