Kuvendi i pakonstituuar, opozita akuzon VV: Kanë uzurpuar institucionet

Nga Ideal Gola
11 Korrik 2025, 17:56 | Politikë

Kuvendi ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e 45 kur u mblodh paraditen e së premtes. Dështimi për të ngritur komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë bëri që seanca të ndërpritet nga kryesuesi.

Paraprakisht, deputetët opozitarë tentuan nga foltorja të kundërshtonin votimin e fshehtë por u pamundësuan te flasin me arsyetimin se në seancë konstituive nuk lejohet debat.

 “Sot është hera e 45-të që e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës...”tha Abelard Tahiri deputet, PDK. (Avni Dehari: Rexhia të ndërpresë mikrofonin) Kjo është e papranueshme”

“I nderuari kryesues, unë propozoj që ju të ktheheni në rendin e ditës dhe të respektoni Gjykatën Kushtetuese…” Ekrem Hyseni, deputet, LDK.  (Avni Dehari: Ju lutemi regjia ta ndërpresw mikrofonin)”

“Po e shohim që ka një bllokadë të qëllimshme...”, u shpreh Time Kadrijaj, Deputete e AAK. (Avni Dehari: Regjia ju lutem të ndërpresë mikrofonin, nuk lejohet për debat)

Në pamundësi për të folur gjatë seancës, deputetët e partive që deri dje ishin në opozitë vazhduan të qëndronin në sallë edhe pas mbylljes së seancës dhe largimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot kemi të bëjmë me një bllokadë të qëllimshme dhe një përpjekje të qartë për të shtypur pluralizimin politik, për të uzurpuar pushtetin përmes kontrollit total mbi institucionet e Republikës së Kosovës dhe kjo natyrisht që është një shkelje flagrante e rendit kushtetues”, u shpreh Blerta Deliu Kodra, deputete e PDK

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sërish akuzuan partitë e tjera se po bëjnë shkelje duke mos votuar në pikën për ngritjen e komisionit.

“Ishim dëshmitarë së bashku të mospjesëmarrjes në votim të një shkeljeje evidente kushtetuese e cila po ndodh nga deputetët e deritashëm opozitarë, shëno këtu faktin që brenda seancës përveç se po bëhet shkelja e dytë duke u vazhduar me diskutime nga përfaqësues të partive të deritashme opozitare”, tha Mimoza Kusari Lila, Lëvizja Vetëvendosje

Në seancën e së premtes u mbajt edhe një minutë heshtje në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës ndërsa deputetët e Listës Serbe nuk erdhën fare në sallë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos