Serbia sulmon Presidenten Vjosa Osmani pasi kjo e fundit akuzoi Beogradin për qëllime destabilizuese në Kosovë, gjatë një ligjërate në universitetin “John Hopkins” në Uashington.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, thotë se pretendimet e Osmanit lidhen me faktin se Prishtina ende nuk ka arritur të konstituojë një Kuvend për herë të 45, shkruan A2.
Sipas tij, kriza po thellohet për shkak të vendimeve të njëanshme dhe të dhunshme nga autoritetet në Prishtinë.
“E ashtuquajtura Kosovë ka kryer 142 lëvizje përshkallëzuese në veri gjatë dy viteve të fundit, që kur vendet anëtare të BE-së më 3 qershor 2023 i kërkuan Prishtinës qetësim urgjent të situatës. Lëvizjet e tyre të dhunshme dhe të njëanshme ishin të llogaritura drejtpërdrejt për të rritur tensionet dhe për të shkaktuar një krizë në veri të Kosovës, por populli serb, pavarësisht terrorit të përditshëm të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, arriti të ruajë paqen dhe të mos reagojë ndaj provokimeve”, tha Petkoviç në deklaratën e tij.
Petkoviç shtoi se paqja e brishtë në veri të Kosovës po ruhet falë politikës së mençur të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç. (A2 Televizion)