Hetimi për urat, VV akuza Prokurorisë: S’është rrezik shtrirja e sovranitetit

Nga Ideal Gola
11 Korrik 2025, 20:11 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur zemërimin me nisjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale për kontratën për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër.

Projekti që do të kushtojë rreth 3 milionë euro dhe që do të lidhë Mitrovicën e jugut me atë të veriut është subjekt hetimi për shkak se fituesi është zgjedhur përmes mënyrës së negocimit. 

Nga partia e Albin Kurtit thanë se e njëjta prokurori ka tërhequr fletë-arrestin ndaj Milan Radoiçiç dhe heton Qeverinë që synon të shtrijë sovranitetin në pjesën veriore. 

Artan Abrashi shprehet për A2: “Fakti që dikush heton kontrata të cilat lidhen me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitet, rend e ligj në veri të vendit që të përmirësojë lirinë e lëvizjes së qytetarëve atje me ndërtimin e urave dhe i sheh si rrezik e shkelje ligji, nuk kam fjalë tjetër përpos të shpreh mllef”.

Nga Vetëvendosje thanë se deklaratat e Presidentit Donald Trump se kishte parandaluar një konflikt mes Serbisë dhe Kosovës i dhanë të drejtë edhe shqetësimeve që kishte ngritur në vazhdimësi Albin Kurti: “Kanë thënë që Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti po sajojnë sulme e kriza sepse vetëm kështu mund të mbijetojnë politikisht, por duhet të dalë Presidenti Trump edhe të thotë një të vërtetë që të ndalemi e të mendojmë se paska këtu diçka”. 

Lëvizja Vetëvendosje akuzoi edhe PDK e LDK se në të kaluarën kanë miratuar ligje të dëmshme siç është ai për amnisti. Kuvendi i Kosovës kishte miratuar këtë ligj me të cilin mundësohej që ish-pjesëtarët e strukturave paralele në veri të integrohen gradualisht në institucionet e vendit duke i falur për një sërë veprash penale të cilat ishin kryer deri në qershor të vitit 2013.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos