Kriza politike dhe punët e shtetit, kontestohet legjitimiteti i Bislimit për takimin e dialogut në Bruksel

Nga Xhevahir Qardaku
3 Qershor 2025, 20:08 | Politikë

Përfaqësimi i Kosovës në dialogun me Serbinë të hënën nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, po konsiderohet jolegjitim. Rikthimi në tryezën e dialogut në Bruksel, ndërkohë që në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe njohës të këtij procesi që flasin për Kosova Press.

“Për katër vjet kanë qenë bllokuesit e dialogut, dhe tani, kur jemi në një situatë të tillë pa zgjidhje dhe pa konstituim të Kuvendit, situatë që po ndodh për shkak të tyre dhe tani ata po gjejnë kohë për të dialoguar. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet, pasi është në detyrë dhe nuk ka mandat të plotë për të dialoguar apo për të marrë vendime, të cilat po rezultojnë të jenë antiligjore dhe antikushtetuese. Mandati i tyre ka skaduar më 9 shkurt dhe ata janë një qeveri në detyrë”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK, shkruan A2 CNN.

KosovaPress ka kontaktuar deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të komentuar pjesëmarrjen e djeshme të Bislimit në Bruksel, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Legjitimitetin e Bislimit për të marrë pjesë në takime në Bruksel e konteston edhe ish-diplomatja Alma Lama. 

“Përderisa nuk ka një qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka legjitimitet për të shkuar e për të biseduar në dialog. Është e paqartë për çfarë po bisedohet, pasi as zoti Bislimi dhe as të tjerët nuk kanë legjitimitet. Kjo është një qeveri në detyrë, e cila nuk duhet të merret me çështje të mëdha dhe kapitale. Nga ana tjetër, nuk e kam të qartë pse Brukseli i fton, duke marrë parasysh se në Kosovë mungon një qeveri legjitime dhe me mandat të plotë për të marrë vendime të rëndësishme në dialog”, u shpreh Alma Lama, ish-diplomate.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, pas takimit të parë zyrtar me emisarin Sorensen në Bruksel, u shpreh se Kosova mund të përfitojë në disa tema, nëse ka konstruktivitet nga ana e Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Fillimisht, ai na tregoi për qasjen që mendon të ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve – qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e nivelit të lartë që do të udhëhiqen nga zonja Kallas. Në takimin bilateral, ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje apo zgjidhje nga Brukseli. Natyrisht që ka vështirësi, sepse nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë ka disa tema nga të cilat Kosova mund të përfitojë, nëse ka qasje konstruktive nga Serbia. Mendoj që nuk do të ishte në rregull të humbim këto mundësi vetëm sepse në Prishtinë ka pengesa për konstituimin e Kuvendit”, tha Besnik Bislimi, zv.kryeministër në detyrë.

 Pas takimit me Bislimin, u deklarua edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, i cili tha se me kryenegociatorin diskutoi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai bëri të ditur se së shpejti planifikojnë të organizojnë një takim trepalësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos