Forumi për gratë, paqen dhe sigurinë, Osmani: Jemi ngritur nga hiri, trauma u shndërrua në forcë

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 20:20 | Politikë

“Kodi i sigurisë për brezin tonë” është temë kryesore e edicionit të tretë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që mbahet në Prishtinë nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

Forumi u hap me rrëfimet e fëmijëve dhe të rinjve kosovarë, fëmijë të të mbijetuarve të përdhunimit, të mbijetuar nga masakrat më të rënda dhe refugjatë që tashmë kanë vendosur të punojnë drejt paqes.

Presidentja Vjosa Osmani, duke përmendur shembullin e Kosovës, deklaroi se në kohën kur fëmijët në mbarë botën po bartin pasojat më të rënda të luftërave, duhet mbrojtur të drejtat e tyre.

“Ne jemi ngritur nga hiri, ne e shndërruam traumën në politika, heshtjen e shndërruam në forcë dhe nuk jemi vetëm. Nga miqtë tanë nga Bosnja Hercegovina e deri tek vendet aziatike, Afrikës, Amerikës Latinë dhe në të gjithë botën të gjithë jemi ngritur nga hiri për të dëshmuar forcën dhe fuqinë që po e ndajmë së bashku sot”, tha presidentja Osmani.

I pranishëm në këtë forum ishte edhe kreu i shtetit të Antigua dhe Barbuda, një nga vendet e përfoula në presidenti serb Aleksandër Vuçiç se kishte tërhequr njohjen e Kosovës dy vite më parë.

“Udhëtimi i kombit tuaj nga konflikti në vetëbesim është një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes dhe qëllimit. Që takohemi në këtë vend, dikur i shkatërruar nga lufta dhe sot që lulëzon në paqe. Na kujton se paqja nuk është kurrë aksidentale. Ajo fitohet, mbrohet dhe mbahet në jetë përmes vizionit, përfshirjes dhe guximit”, tha SIr Rodney Errey Lawrence Williams, Guvernor i Përgjithshëm, Antigua Dhe Barbuda

Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, tha se në rajonin tonë të gjithë e dinë çmimin e tmerrshëm të konflikteve, dhe pikërisht për këtë ka edhe fuqinë e madhe të pajtimit.

“Kosova, me mençurinë e saj, pavarësisht mizorive të tmerrshme që ka kryer regjimi i Millosheviqit, nuk ra kurrë në grackën e hakmarrjes. Përkundrazi, punoi pa u lodhur për ta kthyer dhimbjen në forcë, për t’i dhënë fund luftërave dhe për të shmangur konfliktet, investoi tek liria dhe sovraniteti i kombeve dhe popujve”, tha Spiropali.

Në ceremoninë hapëse, presidentja Osmani ndau Medaljen Presidenciale për Shërbim nënave të Srebrenicës që tha se kishin ngritur zërin në kërkim të drejtësisë për më shumë se 8 mijë fmailjarët e tyre të vrarë nga regjimi i Sllobodan Milleshoviçit.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbahet në dy ditë dhe do të marrin pjesë mbi 150 të ftuar nga 45 shtete që do të diskutojnë mbi temat aktuale të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos