“Turp nëse mbështet Kurtin”, Haradinaj i bën presion, Limaj: Ende s’ka marrëveshje

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 20:18 | Politikë

Ramush Haradinaj e ka quajtur të turpshme mundësinë që Fatmir Limaj, me të cilën garuan në një listë të përbashkët, mbështet Albin Kurti për të votuar Qeverinë e re. Gjatë së hënës, Haradinaj deklaroi se në rast se Limaj së bashku me dy deputetet e Nismas vendosin të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje atëherë do të jetë e vështirë edhe për opozitën që të sigurojë numrat për Qeveri pa Kurtin.

“Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe ma të vështirë, ka qenë i parakohshëm, dhe nëse NISMA e Limaj mbështesin pushtetin kuptohet që ata ndahen nga ne. Po është një ndarje mjaft e turpshme sepse kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se nuk ka pasur asnjë komunikim me Limajn që nga 20 shkurti, datë kur vetë kreu i Nismas la të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin. Por vetë Limaj tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike, si me Kurtin ashtu edhe me partitë opozitare, shkruan A2 CNN.

“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe Nisma është e gatshme dhe do të punojë fortë që Kosova t’i formojë institucionet, Kosova të mos shkojë në një krizë parlamentare. Ajo që mund të themi deri më tani ne nuk kemi as një marrëveshje me asnjë grupacion politik”, tha Limaj.

Ndryshe nga PDK dhe LDK, Haradinaj la të hapur mundësinë që të votojë kandidatin për krye parlamentar që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve e më pastaj sikurse ju e dini AAK angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijon opozita në rast të pamundësisë ose mos krijimit nga pozita”, tha Haradinaj.

Edhe Limaj tha se do të japin kontributin e tyre për të formuar institucionet e reja, pa specifikuar se do ta bëjnë këtë edhe në rast se mungon një marrëveshje formale me Vetëvendosjen.

“Ne presim që qeveria, institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese. Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve për aq sa neve na takon dhe kërkohet nga ne. Këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, tha Limaj.

Seanca e konstituimit të Kuvendit do të mblidhet të martën dhe konsiderohet e suksesshme pasi të zgjidhet kryetari dhe kryesia e Kuvendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos