“Osmani është divorcuar me Kurtin”, Presidenca dhe Qeveria, përplasje në distancë për tarifat

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 18:17 | Politikë

Polemikat në distancë mes zyrës së Presidentes dhe ministrave të kabinetit qeveritar rreth tarifës prej 10% të mallrave nga SHBA, po shihen si dëshmi e përçarjes mes krerëve të institucioneve dhe mungesës së harmonizimit për politikën e jashtme nga analistët në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani i kërkoi qeverisë të enjten ta pezullojë tarifën doganore prej 10% për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kritikoi Presidenten, e cila sipas tij, diskutimet për këto çështje do të duhej t’i mbante të mbyllura deri në momentin kur të merret vendimi. Ai tha se kabineti qeveritar ka qenë duke e shqyrtuar prej kohësh çështjen e tarifës ndaj produkteve që vijnë nga SHBA. Por, në një deklaratë, këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cilësoi si të turpshme dhe skandaloze komentet.

“Kjo është dëshmi e qartë se Kosova s’ka një politikë të jashtme të harmonizuar ndërmjet institucioneve. Propozimi i Presidentes për heqjen e tarifës prej 10% është propozim i mirë dhe besoj se duhet të veprohet menjëherë nga ana e qeverisë së Kosovës. Është e panevojshme dhe mendoj që s’kanë koordinim dhe mendoj që është papjekuri institucionale. Këto lloj bisedash edhe kur kanë mosdakordësi zhvillohen brenda dyerve të mbyllura dhe jo për publikun. Është dëshmi e papjekurisë institucionale”, thekson Alma Lama.

Në anën tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për Kosova Press se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, rrjedhimisht edhe qeveria s’po e përfillin më Presidenten Vjosa Osmani, pasi po e konsiderojnë si një jolojtare në koalicionet e ardhshme politike: “Po të kishte një raport të mirë mes Presidencës dhe Kryeministrisë do të duhej të ishte raport i brendshëm i komunikimit. Për faktin që zonja Osmani tashmë duket se është divorcuar nga kurora me kryeministrin Kurti, pasi tani Guxo nuk është pjesë e kontrolluar nga Osmani. Ajo po tenton që duke parë që i ka ra pesha politike të jetë aktuale përmes mediave dhe temave ku mund të atakojë Kurtin dhe qeverinë e tij. Por të njëjtën kohë të jetë si një lloj aktori i ardhshëm politik me opozitën. LVV-ja nuk e përfill më zonjën Osmani, pasi ata e konsiderojnë si më jo lojtare në koalicionet e ardhshme politike”.

Ndërkohë, heqjen e të gjitha masave ndaj SHBA-së e ka kërkuar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e po ashtu përfaqësuesit e bizneseve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos